Isa Mustafa tregon nga ç'sëmundje vuajti dhe u kurua

Ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka folur në emisionin Rubikon për sëmundjen, diagnozën dhe trajtimin që ka kryer këtë vit. Më 7 janar të këtij viti, Mustafa tha se u ballafaqua me plogështim të sistemit muskulor dhe menjëherë të nesërmen u drejtua në Spitalin Amerikan në Prishtinë.

“E konsideroj fitore të shëndetësisë kosovare pasi arritën menjëherë të nesërmen ta japin diagnozën e drejtë. Për një sindrom të infektimit të sistemit periferik nervor që në gjuhë shëndetësore është ‘Guilain Barre Syndrome’”.

Rehabilitimin e bëri në Gjermani për tre muaj tjerë dhe tash po vazhdon me ushtrime fiziterapuetike të përditshme.

“Do të dëshiroja të shkojë më shpejt se që po shkon por me rëndësi është se ka përmirësime në të gjitha fushat dhe do të përmbyllet edhe kjo sfidë”, ka thënë ai. Mustafa tha se ka spekulime për shkaktarët mirëpo nuk ka ndonjë konkludim të saktë se ç'e shkaktoi një infeksion të tillë.