Ulje alarmante e numrit të lindjeve, Fieri rrezikon plakjen masive të popullsisë

Fieri është një nga qarqet ku numri i lindjeve po shënon rënie të ndjeshme vit pas viti, duke çuar kështu drejt tkurrjes dhe plakjes së popullsisë!

967 foshnje janë regjistruar në Fier nga Janari në Gusht të këtij viti.

Me mesatarisht 100 lindje në muaj, Mjeku obseter Besnik Brahimaj, flet për një rënie me 20 % në krahasim me pak vite më parë dhe deri në 80 % me fillim-vitet 90.

“Kjo rënie e lindjeve mund të themi se mund të çojë në një plakje masive të popullsisë”, shprehet mjeku Besnik Brahimaj.

Me këtë trend, mjeku thotë se pasojat e asaj që njihet si plakja e popullsisë, do të ndjehen brenda pak vitesh në Fier.

“Krijohet një disbalancim mes lindjeve dhe vdekjeve duke sjellë plakjen e popullsisë”, shton Besnik Brahimaj.

Emigracioni dhe planifikimi familjar janë arsyet për rënien e lindshmërisë, por më së shumti qytetarët theksojnë shkaqet social ekonomike

Të dhënat e INSTAT treguan se numri i lindjeve për periudhën korrik – shtator shënoi një rënie 20.7% më pak krahasuar kjo me një vit më parë. Në tremujorin e tretë 2017, shtesa natyrore regjistron vlerë negative vetëm në tre qarqe Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë ndërsa rritje shënon në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.