Grumbullohet për Ligën e Kombeve. Deklarata e parë e vëllait të Ajetit si lojtar i Zvicrës

Nga sot mund ta quani zyrtarisht një futbollist të Zvicrës. Albian Ajeti i është bashkuar për herë të parë përfaqësueses së këtij vendi duke mbyllur përfundimisht kapitullin dhe zërat që e shihnin atë duke veshur fanellën kuqezi të Shqipërisë apo edhe atë blu të Kosovës.

Lojtari ka zgjedhur Zvicrën, ndryshe nga vëllai i tij i madh i cili përfaqëson Shqipërinë dhe me sa duket, është shumë i lumtur me këtë zgjedhje që ka bërë.

Ai nuk ka ngurruar të tregojë se gëzimin e ftesës e ka ndarë menjëherë me familjarët e tij shqiptarë.

“Sapo mora ftesën, telefonova prindërit e mi dhe u thashë. Sigurisht, menjëherë e ndava lajmin edhe me vëllezërit e mi e më pas me kolegët e skuadrës në Bazel. Gjatë kësaj kohe kishte shumë spekulime, por më lumturon fakti që tani jam këtu”, tha ai sapo mbërriti në grumbullimin e përfaqësueses zvicerane.

Ajeti i ka idetë e qarta se cilin kërkon të ndjekë si shembull në përfaqësuesen zvicerane.

“Kam miqësi të ngushtë me Shaqirin, do të dëshiroja të qëndroja në një dhomë me të”, tha sulmuesi.

Zvicra do të luajë të shtunën me Islandën ndeshjen e parë të vlefshme për Ligën e Kombeve.