Trajneri i Kosovës i trembet Azerbajxhanit: Nuk do jetë ndeshje si me Shqipërinë

Edhe Kosova ka filluar punën për t’u përgatitur në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Kombeve, një kompeticion i ri i UEFA-s.

Në konferencën për shtyp para grumbullimit, trajneri zviceran i kësaj përfaqësuese, Bernard Challandes, i trembet pikërisht këtij perceptimi që ka për kundërshtarët, duke filluar nga Azerbajxhani me të cilin do të përballen në Baku më 7 shtator.

“Nëse ne si staf, ju gazetarët, futbollistët dhe të gjithë, mendojnë se ne jemi pretendentë për këtë ndeshje atëherë do ta kemi shumë të vështirë. Është e qartë për të gjithë që Azerbajxhani, Malta apo Ishujt Faroe nuk janë Kroacia, Franca po Belgjika. Ne vërtetë fituam ndaj Shqipërisë, por nuk duhet të mendojmë që do të fitojmë edhe ndaj Azerbajxhanit. Suksesi me kombëtaren shqiptare i ka entuziazmuar shumë lojtarët dhe kësaj i trembem më së shumti, uroj mos ta marrin më lehtë ndeshjen kundër Azerbajxhanit”, u shpreh Bernard Challandes, trajner i përfaqësuese së Kosovës.

Kosova ndodhet në grupin e 3-të të Ligës D në një grup me Azerbajxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën.

Ndeshjen e parë Kosova do ta luajë më 7 shtator në transfertë në Azerbajxhan, për të pritur në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, Ishujt Faroe më 10 shtator.