Naun Shundi: Pse mediat nuk e japin protestën për teatrin

E dha televizori! Një shprehje e njohur dhe e stërdëgjuar nga veshët e shqiptarëve, e thënë nga një organ tjetër: goja e shqiptarëve. Nga goja tek veshi dhe nga veshi tek goja, është një rrugëtim sa i shkurtër, po aq i gjatë. Ekzistojnë media që synojnë veshët, siç ka nga ata që synojnë gojën. Por ajo me e frikshmja është ajo që synon syrin dhe nëpërmjet tij (duke përfshirë edhe veshët) synon trurin njerëzor.

Kur shikon një gjë më zë dhe figurë, s’ke nga ja mban pa thënë me vete: “Ja! E tha televizori! Pra, është e  vërtetë, lind problemi. “A janë të vërteta të gjitha ato që thuhen në mediat vizive? Sa ndikojnë faktorët e jashtëm, që një lajm ta deformojnë, ose ta kthejnë në anti – lajm?! Këtu vijmë tek financimet, kapjet dhe “kazanët” . Është e kuptueshme që kazani do të nxjerrë produktin, në raport të drejtë me ç’ka ti i hedh brenda.  Nëqoftëse  ti hedh mish të kontaminuar, tërë shikuesit kontaminohen. Nëqoftëse ti hedh mjaltë, shikuesit do të lumturohen, pavarësisht mizerjes në të cilën jetojmë. Por, ka edhe një të mesme mes kontaminimit dhe mjaltit. Dhe kjo është e vërteta. Të gjithë thonë që po thonë të vërtetën. Por, të vërteta ka pa fund. Problemi qëndron te seleksionimi  i këtyre të vërtetave. Ca duhen thënë dhe ca jo. Kush e bën këtë seleksionim? Sigurisht atyre që u intereson vetëm e “vërteta” e tyre dhe jo e të tjerëve. Megjithatë, edhe pse demokracia e vërtetë  është respektimi i pakicës, ne synojmë dhe luftojmë që këtë pakicë, ta bëjmë “pakicëzë”, në mos, t’a eliminojmë fare. Ndryshe nuk ka si shpjegohet, që të gjitha mediat e shkruara dhe ato audiovizive, duke përjashtuar televizionin “FaxNeës”, nuk i kushtojnë asnjë vëmendje protestës “Mbro teatrin”. Kjo protestë zhvillohet çdo ditë në qendër të Tiranës. Pranë sheshit (që në fakt është kodër) Skënderbej. E kanë marrë fjalën për të protestuar me dhjetëra personalitete të shquara, jo vetëm nga fusha teatrore, por edhe dhjetëra e dhjetëra studiues, akademikë, profesorë, e plot qytetarë.