Strakosha pranë Inter, ja lëvizja rreth portierit shqiptar

Gabimet e Samir Handanoviç në ndeshjen e fundit ndaj Torinos kanë bërë që në Itali e jo vetëm të lindin dyshime mbi formën e sllovenit. Tifozët dhe drejtuesit janë shqetësuar se rendimenti i tij ka rënë ndaj shumëkush ka menduar që të shohë rreth e rrotull për atë që mud të jetë portieri i të ardhmes për zikaltrit.

Një prej tyre është edhe portali spanjoll Fichajes.net, i cili merret me transferimet e lojtarëve në Europë. Spanjollët shohin tre alternativa që mund të garantonin të ardhmen e Interit dhe një prej tyre është edhe Thomas Strakosha. Përkrah tij renditen dy emra premtues të së ardhmes, po ashtu lojtarë nën 23-vjeçarë, Alfons Areola i PSG dhe Andre Onana i Ajaksit.

“Të tre janë portierë të cilët kanë treguar një nivel të lartë me skuadrat përkatëse dhe do të ishin alternativa të një niveli të lartë edhe për Interin”, shkruan portali i njohur spanjoll. Sigurisht, nëse Interi do të zgjedhë Strakoshën, nuk do ta ketë të lehtë për ta marrë nga Lacio, e cila ka refuzuar shumë oferta gjatë verës për të dhe pak ditë më parë Igli Tare deklaroi se gardiani shqiptar vlen më shumë  se 80 milionët e shpenzuara nga Liverpul për Alison.