180 minuta pa gol, ja sa javë iu deshën sezonin e kaluar Ronaldos për të shënuar

Kristiano Ronaldo që nuk shënon as në ndeshjen e tij të dytë zyrtare është pak a shumë i vetmi lajm “negativ” i këtij Juventusi, që duket i destinuar për të fituar edhe titullin e tetë kampion radhazi.

Pa dyshim, pavarësisht famës së tij prej “jashtëtokësori”, kush mendon se thyerja e rekordit të golave në historinë e Serisë A në një sezon të vetëm, do të vinte që në vitin e debutimit, ndoshta (mund) do të mbetet e zhgënjyer, edhe sepse mbrojtjet e Serisë A nuk janë ato të La Ligës dhe këtë e pranojnë të gjithë.

Por të shohësh CR7-ën në kuotën zero, të bën gjithmonë përshtypje. Në të vërtetë, në vitet e fundit, Ronaldo është transformuar nga një “makinë” sportive me benzinë, në një mjet “diesel”, aq sa sezonin e kaluar iu desh të priste ndeshjen e katërt në La Liga (në fakt ishte java e tetë e kampionatit, pasi në 4 të parat ishte i skualifikuar) për t’u zhbllokuar dhe të niste lehtë gjetjen e ritmit të golave dhe për të mos u ndalur më deri në fund, që e dërgoi të grumbullonte bukurinë e 26 realizimeve në 27 prezenca në kampionatin spanjoll me bluzën e Realit të Madridit.

Por jo vetëm kaq, sepse shifrat totale në fund do të ishin edhe më të frikshme: 44 gola në 44 prezenca sezonale, prandaj nëse dikush mund të buzëqeshë me ironi mbi portugezin, atëherë ato që po shqetësohen jo pak, janë Parma dhe Sasuolo, dy rivalet e radhës për Juventusin dhe Ronaldon në kampionat… Pa llogaritur këtu se në shtator starton edhe Liga e Kampioneve, terreni ideal për gjuetinë e golave të CR7-ës.

Dhe ndërsa vetë 33-vjeçari nuk shqetësohet se në 180 minuta nuk ka gjetur ende festimin e parë, ai që shqetësohet edhe më pak është trajneri Masimiliano Alegri, i cili edhe kur sheh “barutin e lagur” të Ronaldos, nuk stepet aspak, duke qenë se në “karikatorin” e tij kanë qenë pesë lojtarë të ndryshëm, në dy ndeshje, si Khedira, Bonuçi-autolgol, Bernardeski, Pjaniç e Manxukiç ata që kanë zëvendësuar “mister 100 milionëshin” dhe i kanë sjellë pikët e plota skuadrë./ panorama sport