Marrëveshje e re për t’i qethur e përqethur, kufijtë e Kosovës

Epopeja e lavdishme e Jasharajve të Prekazit, e 5, 6 e 7 marsit 1998 e cila që bërë sinonim i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ajo që i ka hapur të gjitha rrugët e mobilizimit e të masivizimit të kombit për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Kjo epope e cila ishte frymëzim për çlirimtarët, ishte frymëzim edhe për të gjithë artistët që e përjetësuan atë në kujtesën e kombit. Epopeja e marsit e Adem Jasharit u përjetësua me një shpejtësi drite në veprën artistike të Ilir Shaqirit, në himnin e UÇK-së: “Sërish vjen marsi”. Sërish vjen Marsi për t’i dhënë vendit zgjidhjen e duhur!

Sakrificat dhe flijime e shumta gati një shekullore të kombit, u kurorëzuan me çlirimin e Kosovës në qershorin e vitit 1999, e më pas me pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008. Viteve të fundit me bisedimet politike të Brukselit të zhvilluara që gjashte vite në mes Kosovës e Serbisë, të cilat seriozisht e kanë rrezikuar tërësinë e Republikës për shkak të papërgjegjësisë së Hashim Thaçit dhe të gjithë atyre që e mbështeten, që nga marrëveshja e 19 prillit 2013. Papërgjegjësia po del të jetë edhe më e madhe e të gjithë atyre që ia dhuruan shkopin e mbretit, shkop që ai po e përdor si kërbaç mbi tërësinë territoriale të atdheut! Faktet flasin se edhe me marrëveshjen e nënshkruar nga Hashim Thaçi në Vjenë në gusht të vitit 2015 për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, Kosova humbi mbi 8000 hektarë tokë.

Edhe ketë vit, serish në gusht, përsëri Vjena dhe sërish Hashim Thaçi me “marrëveshje të re për t’i qethur e përqethur kufijtë e Kosovës”! Kësaj radhe nën plafin e “korrigjimit të kufijve”. Nuk mund të ketë asnjë dyshim, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk është asgjë në krahasim me korrigjimin e kufirit me Serbinë e trashëgimtarëve besnik të Millosheviqit.

Të gjithë duhet ta dimë se territori i Kosovës nuk është lëkura e gjarprit që Hashim Thaçi mund ta ndërrojë për çdo pranverë. Çdo pëllëmbë e tokës së Kosovës është larë me gjakun e atdhetarëve shqiptarë, me flijimet e shumta të kombit dhe shumë nga ato janë tepër të freskëta. Loja me tërësinë territoriale jo vetëm që është e rrezikshme, por ajo është hapje e plagëve të reja e të vjetra. Çka është tepër, tepër është!

Në një situatë të tillë natyrshëm rrjedh refreni i reformuar: Pas gushtit, sërish vjen marsi!

Të shpresojmë që nuk do të jemi të shtrënguar t’i përvishemi një marsi të ri!