Lajmi nuk është charteri, por revolta që s’ndalet më veç në internet

Nuk ka nevojë për shumë llogari të kuptosh se nga rreth 4 mije reagimet në faqen e facebook të Edi Ramës, pas publikimit të fotos me Cristiano Ronaldon, mbi 90 përëind e tyre janë një fshikullimë e pastër ndaj arrogancës së kryeministrit. Edhe ushtria e urithëve që Rama ka punësuar në kryeministri për të vrarë edhe temperaturën që publiku rrëfen në rrjet s’ia arriti qëllimit.

Dhe dy reagimet-etalon i gjen të përsëritura qindra here. I pari: ma trego dhe mua sekretin si ja del me gjithe keto gjera me nje rroge! Kam shume deshire te udhetoj si ti ne Shqiperi me helikopter e jashte me charter!

Dhe reagimi i dytë: #edirama Nuk eshte merite e jotja kjo foto,kjo eshte merite e Shqiptarve qe te kan dhene mundesi me u zgerdhi me besimin e tyre.
E qartë si drita e diellit; hajgaret e kryeministrit Rama janë një çështje që i përket gjithë publikut, prandaj edhe si e tillë, fluturimi me charter ështe keqqeverim (në rastin më të mirë) dhe korrupsion e abuzim pushteti në opinionin dërrmues të “miqve” të Ramës në facebook.

Përrallat se është jeta e tij private s’i ha njeri. Edhe banalizimi, duke e paraqitur udhëtimin si një miqësi e ngushtë e Ramës me Taret, s’prek askënd. Kryeministri ynë ka mbërritur në nivelin që s’e ka për gjë ta nxjerrë në dritë të diellit lakuriqësinë e keqqeverimit, pasi i beson verbërisht makinerisë së tij manipulative dhe mbi të gjitha parave me të cilat mendon se ja ka mbyllur rrugën çdo rotacioni demokratik në vend. Është ajo arrogancë që e ka trimëruar Ramën të mos bëjë asnjë investim publik për 5 vjet, të shpërndajë paradhënie buxhetin e shtetit edhe për 10 vitet e ardhshme dhe të guxojë të paraqitet në fushatë pa kurrfarë platforme. Prej kësaj arrogance vjen edhe lehtësia që charteri paraqitet si i Lacios, por që po e conte Ramën të takonte Anjelin dhe Ronaldon e Juventusit.

Kjo lehtësi e arrogancës na ka sjellë këto ditë të dëgjojmë çmenduri të tipit: “djegia e cerdheve është akt vandal, por t’i lëmë hetimet, pasi ato i interesojnë vetëm opozitës” apo cmendurinë tjetër “Edmond Bego s’duhej t’i fitonte miliona euro tendera, por i ka fituar se ka bërë bamirësi në shoqërinë e një imami”.

Arroganca është e mbështetur fort tek garancitë se mekanizmi i rotacionit demokratik është prishur, prandaj s’ka pse të skandalizohemi shume nga charteri dhe Rama me kostum. Sa kohë nuk shqetësohemi për thelbin, apo sic thote një friends i Ramës, sa kohe “fotoja s’është meritë e jotja, por e shqiptarëve që ta lejojnë sundimin”, charteri sdo të jetë kulm, por stacion. Për foton me Ronaldon, patëm 3500 fshikullime virtuale ne facebookun e Ramës dhe me këto ritme, mendoj se nuk jemi shumë larg nga stacioni kur fshikullimat virtuale do kthehen në prani fizike të revoltuarish në rrugë.
Dhe atëhere, Ramës le t’i rrojë hipoteka e “vrasjes së rotacionit politik”.