Test shpejtësie te Arsenali, kush janë ‘raketa’ dhe ‘breshka’ e skuadrës

Arsenali e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme Premier Leaguen, teksa ka marrë dy humbje në dy takimet e para, ndonëse përballë ka pasur skuadra si Manchester City dhe Chelsea.

Pierre Emenicke Aubameyang ka përfunduar në qendër të kritikave, pasi ka shpërdoruar shumë mundësi shënimi, veçanërisht ndaj Chelseat, ku skuadra e Unay Emery humbi me vetëm një gol diferencë, 3-2.

Tekniku spanjoll kërkon që skuadra të rikthehet menjëherë te fitoret dhe sot ka realizuar edhe një test shpejtësie te futbollistët e tij, për të parë se si është gjendja e tyre fizike.

Rezultatet e testeve janë publikuar në Instagram nga ai që ishte edhe më i shpejti i skuadrës, Aubameyang, i cili ka dashur t’u japë edhe një përgjigje kritikëve të tij, duke treguar se gëzon një top formë.

Ish sulmuesi i Borussias së Dortmundit arriti të vrapojë me një shpejtësi prej 10.01 kilometrash në orë, ndërsa “breshka” e skuadrës ishte Lucas Torreira, me 8.73 kilometra në orë.

Mesfushori uruguaian i ardhur këtë verë nga Sampdoria, nuk ka shpejtësinë në të vrapuar armën e tij më të fortë, por shpejtësinë e veprimit dhe të qarkullimit të topit, cilësi për të cilat edhe londinezët shpenzuan rreth 35 milionë euro.