Dalin datat, ja kur nis regjistrimi në universitete i maturantëve fitues

Regjistrimet e maturantëve  kandidatë për student të cilët kanë rezultuar fitues  gjatë konkurseve të pranimit, do të nisi në datë 30 gusht. Regjistrimet do të bëhen  pranë universiteteve ku maturantët kanë  përzgjedhur degët në të cilën janë pranuar. Sipas rregullores,  procesi i regjistrimeve  do të zgjasë  deri në 12 shtator dhe është i ndarë në 7 faza 48-orëshe ku secili aplikant do të ndjekë ecurinë për shpalljen fitues të tij në njërin apo disa programe studimi nga ato që ka përzgjedhur në formularin e aplikimit, raporton Scan.

Në momentin kur maturanti  mëson se  është  shpallur fitues, duhet të paraqitet pranë universitetit  ku dëshiron të regjistrohet, brenda afatit 48-orësh, në të kundërt ai humbet të drejtën e regjistrimit, në ato programe studimi ku ishte shpallur fitues në atë fazë. Në rast se pas çdo faze konstatohen kuota të paplotësuara, zhvendoset vija e kuqe dhe shpallen fitues të rinj. Këta fitues të rinj mund të regjistrohen në vazhdim. Këto faza vijojnë deri në plotësimin e kuotave dhe përfundojnë në datën 12 shtator 2018.

Aplikantët fitues duhet të regjistrohen vetëm në një program studimi, me përjashtim të nxënësve dhe studentëve të shkëlqyer. Pas marrjes së dokumentacionit nga aplikanti dhe regjistrimit të tij, sekretaria mësimore e fakultetit bën regjistrimin online në portalin U-Albania. Për  vitin akademik 2018-2019  kanë aplikuar gjithsej 24 mijë  e 287 kandidatë, nga të cilët  88.88% e  totalit të tyre kanë bërë  përzgjedhjen e degëve preferenciale në universitetet publike dhe pjesa tjetër në ato private.