Shkëndija synon kualifikimin historik, sfidon Rosenborgun

Shkëndija e Tetovës për të tretin edicion radhazi pranë grupeve të Europa League-s.

Skuadra shqiptare do të përballet me Rosenborgun për të synuar kualifikimin historik në Europa League.

Ndeshja e parë do të zhvillohet, sot, në orën 20:45, në “Lerkendal Stadion” të Trondheim.

Trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Armend Alimi kanë folur para mediave norvegjeze për objektivin që kanë kuqezinjtë në këtë takim të parë.

“Sot dhe pas një jave Shkëndijën e presin dy ndeshje përballë një kundërshtari cilësor si Rosenborgu. Sigurisht që e kemi analizuar kundërshtarin dhe mund te them se bëhet fjalë për ekipin më të suksesshëm në Norvegji dhe ne kemi respekt të madh për të. Rosenborgu është skuadër me shumë eksperiencë, ky është realiteti, por Shkëndija do të bëjë çmos për të kaluar këtë pengesë, për të hyrë më pas në grupet e UEFA Europa League”, – deklaroi trajneri Qatip Osmani.

Pas konferencës për shtyp kuqezinjtë zhvilluan seancën stërvitore zyrtare në “Lerkendal Stadium”, ku mungesa e vetme do të jetë Bejtullai, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.