Enigma e 40 ditëve të Taulant Ballës

40 ditë do presim tha Taulant Balla që ta shohim se miku im Edmond Bego nuk është ndihmuar prej meje që t’i fitojë çka fituar prej tenderave shtetërorë këto dy vitet e fundit. Kur bën vaki njëherë, edhe mund të mendohet rastësia, por kur kjo përsëritet 3 here, 4 herë, 100 herë, nuk është se Taulant Balla është i persekutuar prej fatit, por është thjesht i varur prej njerëzve me cv të tillë.

Balla ka bërë goxha përpara në politikë këto 10-15 vjet, qëkur u shkëput nga paradhoma e Fatos Nanos. Ngritja ka lidhje bash me ndryshimin e paradhomës; lëpirje për lëpirje, më mirë ngjitemi pas cv-ve që kanë dukë për pare, paçka se me pak krim brenda. Rastet në parlament i janë përmendur 100 herë, por vakitë e fundit të Taulant Ballës, lidhja kërthizore me Toyota Yarisin dhe me Edmond Begon, flasin për një dependent që s’zë mend, s’del dot më nga qerthulli. Ai s’ka më faj, s’e dallon dot më të mirën nga e keqja e as ç’i bën dëm politikisht. Ai jeton i rrethuar nga malli i paradhomës që e ngriti politikisht dhe 40 ditë pritje s’i bëjnë fajde. Prite Zot, që pas 40 ditësh, në vend të një të liruari nga qelitw greke të kemi një të penduar, Taulant Ballës s’i mbetet gjë tjetër vetëm të thotë: S’ma mori mendja...

40 ditë nuk shenjojnë kurrfare sakrifice, Taulant Balla s’e dallon 40 ditëshin e procedurës dhe verifikimit që kërkojnë konventat ndërkombëtare. Për një të varur nga malli i Paradhomës, as 40 ditëshi, as 40 mijë të rënë në Qerbela s’përbëjnë motiv për sakrificë. Ai na e tha 40 ditëshin thjesht si një tymëse, me shpresë se ndonjë të varuri tjetër në grupin parlamentar do i ngjasë ndonjë vaki tjetër e ai do harrohet. Është një sjellje prej të dëshpëruari, me shpresë se do të trajtohet si i papërgjegjshëm. Do të ishte njësoj si të parapaguanim një tjetër ndalom nga Interpoli, në Gumenicë a gjetkë.