Bayern Munich nis planin për të marrë sulmuesin e Juventus…

Bayern Munich po punon që tani për sezonin e ardhshëm, aq sa ka nisur të mendojë se cili është futbollisti i duhur për të investuar në sulm, në momentin që verën e ardhshme do të jetë divorci përfundimtar me Robert Lewandowski, i cili edhe sivjet do të jetë qendërsulmuesi i bavarezëve.

Objektivi kryesor për të zëvendësuar polakun është Antoine Griezmann i Atletico Madrid. Ky i fundit zgjodhi të qëndrojë te “Los Colchoneros”, duke refuzuar kalimin te Barcelona, menjëherë pasi u shpall kampion bote. Klauzola për prishjen e kontratës së Griezman me Atletico është 200 milionë euro.

Bavarezët janë gati ta investojnë një shumë kolosale, sepse kanë kursyer goxha në vitet e fundit, por nëse sulmuesi i Atletico do të refuzojë sërish, atëherë sulmi do të nisë për juventinin Paulo Dybala.

“Bild” shkruan se blerja e Dybala nuk është utopi dhe një gjysmë sondazhi me lojtarin dhe “Zonjën e Vjetër” është bërë që tani.