Kurban Bajrami, programi për 21 gusht 2018 dhe urimi i Skënder Bruçajt

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se namazi i Kurban Bajramit, ditën e martë, 21 gusht 2018, do të falet në orën 07:00 në Sheshin Skënderbej.

Para faljes së namazit të Kurban Bajramit do të zhvillohet një ceremoni me lexim kur’ani, ligjërata dhe përshëndetje.

PROGRAMI I PLOTË I KURBAN BAJRAMIT 2018

05:30 – NAMAZI I SABAHUT (FALJA)
05:45 – KURAN, ILAHI
06:30 – HAPJA
06:35 – LEXIM KURANI
06:40 – FJALA E KRYETARIT TË KMSH-së, H. SKENDER BRUÇAJ
06:50 – LIGJËRATË
07:00 – FALJA E NAMAZIT TË BAJRAMIT
07:05 – HYTBEJA E BAJRAMIT – MYFTIU I TIRANËS, YLLI GURRA

URIMI I KRYETARIT TE KMSH, SKENDER BRUÇAJ, ME RASTIN E KURBAN BAJRAMIT (Video në fund)

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim!

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Më lejoni që në emrin tim personal dhe të institucionit që përfaqësoj, të uroj besimtarët myslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen:

GËZUAR FESTËN E KURBAN BAJRAMIT!

Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit, Krijuesit të Gjithësisë. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban dhe duke u solidarizuar me te afermit, me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.

Kjo ditë e bekuar është ditë e harmonise, bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit; ditë e mirënjohjes  dhe e falënderimit ndaj mirësive të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm ia ka dhuruar njerëzimit.

Besimtari i cili ka shijuar ëmbëlsinë e besimit është zemërgjerë, lutet dhe punon për të mirën e të tjerëve, dhe ndan me të tjerët mirësitë dhe begatitë që i ka dhuruar krijuesi i gjithësisë. Kurbani është nje shenjë falënderimi ndaj Allahut (xh.sh), i Cili na ka dhënë mirësi të pa numërta. Njeriu arrogant, hipokrit i cili ka hequr, dashurinë, mëshirën nga zemra e tij mund të kthehet në një egërsirë e cila mund t’i shkaktojë shumë plagë shoqërisë.

Prandaj le të lutemi në këto ditë të begata ky mbizotëron përkujdesja hyjnore që dashuria, mëshira, bujaria, dhe sinqeriteti të mbizotërojë në zemrat e njerëzve, në mënyrë që shoqëria jonë të mos përjetojë tragjedi dhe vuajtje.

Le t’i gëzohemi së bashku kësaj dite të begatë, në të cilën shpresat, dëshirat dhe ëndrrat tona kthehen nga i Plotfuqishmi dhe realizimi i këtyre aspiratave le të pasqyrohet në aktet dhe veprimet tona në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ngrohtësinë, dashurinë dhe vëmendjen e të gjithëve ne.

Në një ajet Kur’anor thuhet: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj…” (El-Haxh:37), pra, kjo mirësi që nuk ka për qëllim thjesht shpërndarjen e mishit te kurbanit, por synon bashkimin e zemrave dhe përçimin e frymës së respektit dhe dashurisë për njëri-tjetrin.

Qoftë kjo ditë për Shqipërinë dhe Shqiptarët ditë feste, gëzimi e bashkëpunimi!

Mirësia dhe Begatia mbretëroftë në shtëpitë dhe sofrat tona!

Paqja dhe bekimi i Zotit qofte me të gjithë Shqiptarët ku do që ndodhen!