Saimir Tahiri pasi ‘ia zhyti’ Prokurorisë, i fut edhe një të zhytur vetë në det

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka lënë pas vuajtjet dhe stresin që i shkaktoi hetimi për trafik ndërkombëtar droge dhe u shfaq sot në rrjetet sociale duke shijuar pushimet. Foto e tij me të birin duke praktikuar një prej pasioneve të tij, zhytjen në det, bënë xhiron në portale, njësoj si të ishte ndonjë personazh i shoëbizz.

Ndërsa ndaj ti u pre një fletë-arresti, që nuk u ekzekutuar kurrë pasi u mbrojt nga mazhoranca në kuvend dhe ndonëse nga tetori deri në dhjetor 2017 hetimet për të dukeshin në rrugë të mbarë, gjithçka ndryshoi kur në krye të akuzës u vendos prokurore e përgjithshme e përkohshme Arta Marku.

Edhe pse i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge me kushërinjtë Habilaj, ish-ministri i Brendshëm ka bërë vetëm 1 javë “arrest shtëpie”, ndërsa tashmë pret i qetë hetimet, teksa na shfaqet në rrjetet sociale, duke kaluar bukur pushimet. Sot Saimir Tahiri u bë lajm në gjithë mediat, teksa i mësonte të birit, Drinit, zhytjen në det.

Por çfarë po ndodh me dosjen e tij në prokurori? Tahiri u akuzua për trafik ndërkombëtar droge, përmes lidhjeve që kishte me Habilajt, trafikantë droge në Vlorë që dërgonin tonelata me kanabis drejt Italisë duke pasur mbështetjen e vetë Ministrit të Brendshëm të asaj kohe.

Kërkesa e prokurorisë për ta arrestuar u hodh poshtë dhe që nga emërimi i Arta Markut në detyrë me votat e Partisë Socialiste, dosja Tahiri duket e ngrirë mes burokracive procedurave. Së fundmi prokurorët thonë se janë në pritje të përgjigjes së letër-porosive që janë dërguar në Itali dhe Greqi për lëvizjet e Saimir Tahirit në këto vende.

Bashkë me dosjen janë ngrirë edhe prokurorët që kërkuan arrestimin e ish ministrit. Elisabeta Imeraj është caktuar drejtuese e Prokurorisë së Tiranës. Gentian Osmani është nën “kthetrat” e vetingut sepse fillimisht u konfirmua në detyrë, por juristët e huaj të ONM kërkuan ankimimin e çështjes. Besim Hajdarmataj është shkarkuar si drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Pas kësaj “zhytje” që Saimir Tahiri i ka bërë Prokurorisë, nuk është fare e çuditshme që ai shijon këto ditë të nxehta vere për të eksploruar mes pasioneve dhe dëshirave të tij, ku nuk mungojnë edhe zhytjet e tij në thellësitë e detit.