Parma kërkon sulmues, ëndërron të formojë një treshe të frikshme

Pasi arriti të marrë nga Napoli sulmuesin Roberto Inglese, Parma po punon që në dy ditët e fundit të merkatos, të sjellë edhe dy sulmues të tjerë, për të formuar një “tredhëmbësh” spektakolar.

I pari është ish sulmuesi i Romës, Gervinho, i cili aktualisht luan në kampionatin kinez, me skuadrën e Hebeit. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë kërkon rikthimin në Europë dhe negociatat janë goxha të avancuara, ndërsa i vetmi detaj që po diskutohet, është paga e Gervinhos.

Po në fazë të avancuar janë edhe bisedimet me Interin për të marrë në huazim talentin francez Yann Karamoh, i cili pas afrimit edhe të Keita Balde, vështirë se do të gjejë hapësira të shumta. Ideja e zikaltërve ishte që të shisnin Candrevën, por italiani nuk ka preferuar të transferohet te Monaco, e cila kishte shprehur interes.

Pikërisht për këtë arsye, po negociojnë me Karamoh që të luajë një sezon me emilianët, ku i garantohet një vend si titullar dhe do të ketë mundësi të bëjë hapin kualitativ për të qenë gati për Interin, duke filluar që nga viti i ardhshëm.

Marrëdhëniet e Parmës me skuadrën zikaltër janë mjaft të mira, pasi vetëm pak ditë më parë, 3 futbollistë të Interit, Biabiany, Dimarco dhe Bastoni, iu bashkuan emilianëve për sezonin e ardhshëm.

Ëndrra e drejtuesve të klubit të sapongjitur në Serinë A, është të formojnë një repart sulmues me Karamoh, Gervinho dhe Inglese, treshe që ofron shumë shpejtësi, energji dhe natyrisht gola të shumtë.