Te Shkëndija nuk dorëzohen para Salzburgut, synohet përmbysja e madhe

Shkëndija e Tetovës do të luajë përballë Salzburgut ndeshjen e kthimit për raundin e tretë eliminator të Champions Ligës. Ata e kanë humbur ndeshjen e parë me rezultatin 3-0.

Përpara mediave ka folur trajneri Qatip Osmani dhe mbrojtësi Visar Musliu.

“Edhe pse kemi pasur rezultat negativ në ndeshjen e parë, kemi të drejtë të ëndërrojmë. Do të përgatitemi të paraqitemi mirë, edhe pse diferencat janë të mëdha. Në futboll ka befasi, kështu që Shkëndija nesër do të jetë e mobilizuar maksimalisht. Mund të kemi ndryshime të vogla në formacion, por problemi i vetëm është lëndimi që pësoi Murati me Vardarin”, deklaroi para mediave Qatip Osmani.

Nga ana tjetër mbrojtësi Musliu ishte më i qartë. “Në ndeshjen e parë na mungoi eksperienca nga takime të nivelit europian duke bërë gabime. Kemi analizuar mirë ndeshjen e parë dhe besoj se jemi të përgatitur maksimalisht. Do të tregojmë karakter dhe do të shohim cili do të jetë rezultati”, përfundoi mbrojtësi.