Rezultate surprizë në Kupën e Italisë, eliminohen ekipet e njohura

Ndeshjet e sotme në Kupën e Italisë kanë dhuruar disa rezultate surprizë dhe eliminimin e emrave të njohur nga ky turne, edhe pse bëhet fjalë për turin e tretë të tij.

Eliminimi më i bujshëm është ai i Parmës, e cila është mundur në shtëpi 1-0 nga Piza dhe i ka dhënë lamtumirën këtij aktiviteti.

Jashtë edhe Frosinone, që është mundur po ashtu në shtëpi nga Sudtirol, një nga surprizat e deritanishme të turneut, ndërsa Empoli i Frederik Veselit u mund po ashtu në fushën e vet me shifrat 3-0 nga Çitadela, në një ndeshje ku mbrojtësi qëndroi në pankinë.

Lamtumirën Kupës ia dha edhe Peskara e Memushajt, si gjithmonë titullar, e mundur nga Kievo, ashtu si edhe Kozenca e Dermakut, e mundur 4-0 nga Torino.

Penalltitë kanë nxjerrë jashtë edhe Emanuele Ndojin, i cili shënoi të tijën, por pa se si ekipi i tij u mund nga Novara në gjuajtjet nga pika e bardhë.