‘Bomba’ e merkatos së verës: Ardian Takaj merr Vllazninë?

E ardhmja e Vllaznisë varet nga vendimi përfundimtar për dënimin apo jo me 10 vite nga kupat e Europës për ekipin e Skënderbeut. Mund të duket e çuditshme, por së fundmi kanë dalë zëra se shkodranët mund të kalojnë në duart e presidentit aktual të korçarëve. Sipas burimeve jo-zyrtare për Shkodra.News, në raste se konfirmohet dënimi me 10 vite nga UEFA, atëherë presidenti Takaj do të lërë korçarët, për të administruar bashkë me bashkinë ekipin e Vllaznisë.

Një gjë e tillë mund të mësohet brenda pak ditësh. Zvarritja për përzgjedhjen e trajnerit dhe drejtorit sportiv tek Vllaznia, ku më në fund u zgjodhën sot pas disa javësh, si edhe qëndrimi në heshtje i administratorit Lici mund të bëjnë që të tilla zëra të konfirmohen pas pak ditësh. Sipas burimeve të tjera, vetë administratori Lici ka “paralajmëruar” për supriza para nisjes së sezonit të ri, e nuk do ishte çudi që Takaj sëbashku me disa lojtarë të Skënderbeut të vinin në Shkodër, raporton ShkodraNews.

Natyrisht, Takaj nuk ka asnjë interes të qëndrojë në Korçë nëse konfirmohet përjashtimi nga kupat e Europës për 10 vite e Vllaznia do të ishte skuadra e duhur për të administruar në vitet në vijim. Kësisoj, finalja e sotme e Supërkupës mund të jetë e fundit për të në krye të ekipit të Skënderbeut.

Gjithsesi, deri tani nuk ka asgjë zyrtare, por surprizat nuk përjashtohen në këto ditë të nxehta të gushtit. Vetëm në rast të heqjes së pezullimit nga kupat e Europës, Takaj mund të vijojë të Skenderbeu, në të kundër rruga e tij më e “shkurtë” do të jetë në Shkodër. Të presim se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme.