Masakra në Selenicë, djali 8-vjeçar u vra ‘me bukë në gojë’

Detaje tronditëse vijojnë të zbulohen nga masakra e ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Resulaj në Selenicë të Vlorës.

Familjarët  që kanë shkuar të parët në vendngjarje pas masakrës kanë treguar se Ledioni 8 vjeç është gjetur i vrarë në divan teksa në dorë mbante pjatën me bukë.
Të mbytur në gjak ambulanca ka transportuar trupat e pajetë të viktimave në morgun e spitalit të Vlorës, mbrëmjen e djeshme, ku i janë nënshtruar ekspertizës mjekoligjore.

 Viktimat kanë pasur plagë të shumta nga plumbat e kallashnikovit kryesisht  në bust dhe në kokë.

Ridvan Zykaj u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm  2 km larg banesave ku ndodhi masakra.

Pasditen e së premtes, 24-vjeçari mori vendimin për të kryer aktin e rëndë që ka tronditur mbarë opinionin. Ai fillimisht shkoi në shtëpinë e Demirit dhe pasi i ka ekzekutuar së bashku me bashkëshorten ka shkuar në banesën e Besimit. Aty ka vrarë Besimin dhe bashkëshorten e tij, Vasilika dhe dy fëmijët, Sarën, 16 vjeçe dhe Ledionin 8 vjeç. Kur kanë dëgjuar britma e të shtëna Azemi dhe Afërdita kanë shkuar në banesën e Besimit për të parë se çfarë kishte ndodhur. Aty janë ekzekutuar dhe Afërdita dhe Azemi. Tre viktima janë gjetur të vrarë në oborr, ndërsa të tjerët janë gjetur brenda në banesa.

Ridvan Zykaj pas ngjarjes u arratis dhe u kap mëngjesin e sotëm në dalje të Selenicës.

Gjatë marrjes në pyetje 24-vjeçari ka kërkuar avokat për të folur për masakrën, ndërsa ka pranuar edhe autorësinë e vrasjes së 8 familjarëve të fisit të tij, mes tyre 3 gra dhe dy fëmijë.