Zbardhet dëshmia e vrasësit të Selenicës para prokurorit: Nuk kam vjedhur asnjë ...

24-vjeçari Ridvan Zykaj nuk ka shprehur pendesë për vrasjen e 8 të afërmve të tij gjatë marrjes në pyetje në polici. I riu ka pranuar krimin e rëndë dhe ka kërkuar avokat mbrojtës.

‘Unë i vrava, më gjeni avokat se nuk dua të më vrisni. Viktimat më akuzonin për çdo gjë, unë s’kam vjedhur asnjë pulë. Edhe ju më akuzoni për çdo gjë’.

Kështu mësohet se është shprehur 24-vjeçari para grupit hetimor në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.

Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shkak i masakrës ka qenë sherri për motive banale, atë të vjedhjes së pulave.

Mes tij dhe kushërinjve të vrarë mendohet se ka patur konflikt për pulat.

Zykaj u arrestua rreth 12 orë pas tragjedisë në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë. Ai u gjet i fshehur në një stan rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm.

Ritvan Zykaj qëlloi me breshëri ndaj kushërinjve të tij të parë, mes të cilëve edhe dy fëmijë.

24-vjeçari zbrazi plot dy karikatorë mbi vëllain e gjyshit të tij, Demir Zykaj dhe gruan e 75-vjeçarit, Perije Zykaj.

Viktima mbetën edhe dy djemtë e Demirit, Azem dhe Besim me nuset Afërdita dhe Vasilika, si dhe fëmijët e Besimit Sara Zykaj 16 vjeç dhe Ledion Zykaj 8 vjeç.

Sipas disa raporteve, thuhet se Zykaj është person me probleme mendore, ndërsa të tjerë pohojnë se është përdorues droge. Asnjë prej këtyre dy të dhënave nuk është e konfirmuar zyrtarisht. /tvklan