Milan i interesuar për lojtarin Holandez

Milani thuhet se është i interesuar në sulmuesin anësor të Spartak Moskës, Quincy Promes, të cilin e duan si huazim me opsion blerje.

26-vjeçari është një reprezentues i rregullt holandez dhe ka kaluar katër sezonet e fundit duke luajtur në Premierligën e Rusisë.

Sipas faqes së internetit të gazetarit Gianluca Di Marzio, Rossonerët kanë kontaktuar me Spartakun për të kërkuar informacione rreth lojtarit.

Megjithatë, negociatat e vërteta mes klubit italian dhe atij rus nuk kanë filluar akoma.

Çmimi i kërkuar për Promes është rreth 25 milionë euro, por Rossonerët nuk janë gati ta paguajnë.

Klubi nga San Siro do të kërkojë të bëjë një marrëveshje mbi bazën e një huazimi të shtrenjtë me mundësi blerje përfundimtare në fund të sezonit.

Ndryshe, Promes që nga bashkimi i tij me klubin rus ka zhvilluar 127 ndeshje dhe ka shënuar 64 gola.

Promes ka fituar kampionatin rus dhe Superkupën në vitin 2017.