'Nuk ke të krahasuar me asnjë dashuri', mjeku Kalo përlot me poezinë për vajzën

Mjeku i njohur Tritan Kalo, ndan shpesh me ndjekësit e tij në rrjete sociale të rejat e fundit nga fusha e shëndetit, por në postimin e dy ditëve më parë ai ka zgjedhur të zhveshë bluzën e bardhë të doktorit dhe të emocionojë të gjithë me fjalët e ndjera të një babai.

Vajza e tij Juna ka festuar datëlindjen e 20-të dhe zoti Kalo i ka dedikuar disa vargje tejet prekëse ku rrëfen se e vogla e tij është autike, por për të ajo është një dhuratë speciale, një befasi, një mund, një sfidë. Postimi i plotë vijon si më poshtë:

'20 vjet që na fal vetëm e vetëm DASHURI e LUMTURI….

Sot më 7 Gusht 2018, vajza jonë e vogël mbush plot 20 vjeç…20 vite që na kanë ofruar ne si prindër si dhe të dy motrave gëzimin e pranisë së saj në jetët tona, edhe pse jo rradhë ditët e këtyre viteve kanë qenë ta ngarkuara me shqetsimet e rritjes dhe maturimit të saj….

Festofsh e qeshur si kurdoherë edhe ditëlindjen e 120-të , Ti e mira, e bukura, e ëmbla, e mënçura, gëzim dhe energji-sjedhësja e ditëve tona:

GENTA JUNA KALO!!!

Pjesëz nga një poezi kushtuar bijës sime Genta Juna Kalo:

“I love you daddy”
Është fraza që më shpesh thotë,
Në telefon vajza ime më vogël,
Natyra desh që ajo në këtë botë,
Të vinte mes nesh diç më e plogët….

Çapkënja, e bukura, e veçanta bija ime,
Jetës sonë ritmin krejt ajo ja ndryshoj,
I shtoj asaj jo pak lodhje e preokupime,
Veç kurrë asaj lumturinë nuk ja lëndoj….

Fëmija autik është një dhuratë speciale,
E ardhur nga Perëndia për krijuesit e saj,
Është një befasi, një mund, një sfidë reale,
Një betejë për të thyer heshtjen e gjatë.

Dashurija pa masë që një fëmijë autik,
U dhuron bujarisht prindërve të saj,
Nuk ka të krahasuar me asnjë dashuri,
Përveç se me përjetësinë që vetë dashuria bart.