VIDEO/ Gaboi në finalen e Championsit, kështu e presin Kariusin tifozët e Liverpoolit

Finalja e Ligës së Kampionëve mes Real Madridit dhe Liverpoolit, ndoshta është finalja më e rëndësishme dhe mbrëmja më e paharrueshme për çdo futbollist.

Por për portierin e Liverpoolit, Loris Karius, ajo mbetet një mbrëmje e mbushur me makthe. Ai ishte fajtor në golat e shënuar nga Real Madridi, duke bërë gafa të cilat rezultuan fatale për skuadrën angleze.

Kur kanë kaluar disa muaj nga ajo finale, tifozët e Liverpoolit duket se e kanë falur gardianin Karius, i cili tashmë do të jetë zëvendësues i brazilianit Alison.

Në ndeshjen miqësore që Liverpooli arriti të fitonte ndaj Torinos me rezultatin 3-1 në “Anfield Road”, Karius u aktivizua në minutën e 73-të, ndërkohë që pritja e tifozëve ka qenë tepër emocionuese.

Të gjithë të pranishmit në stadium, kanë nisur të duartrokasin portierin e tyre, duke i dhënë kështu një mbështetje të madhe dhe njëkohësisht një shembull për tifozët e tjerë, të cilët duhet të mbështesin lojtarët në situata të tilla.