Makinat luksoze në Tiranë preh e hajdutëve, 12 të vjedhura vetëm në një muaj

Automjetet luksoze në Tiranë, vijojnë të jenë objektiv i grabitësve. Në muajin korrik, sipas shifrave te policisë, në kryeqytet u vodhën 12 makina të shtrenjta. Por hajdutët edhe për makinat po synojnë gjithmonë e më shumë automjetet e luksit. Vlera e tyre ka qenë më lartë se makinat e vjedhura në korrik një vit më parë.

Policia e kryeqytetit liston si zona më problematike për vjedhjet e automjeteve zonat: “Zogu i Zi”, “Stacioni i Trenit”, rruga “Myslym Shyri” dhe “ish-Blloku”. Makinat janë grabitur kryesisht në parkingje, ndërsa markat më të preferuara kanë qenë “Mercedes-Benz”, “Range Rover” “BMË” dhe “Audi”.

Nga muaji janar deri në qershor, policia pohon se janë vjedhur gjithsej 50 automjete. Problem mbetet zbulueshmëria dhe prangosja e autorëve. Vetëm në çerekun e rasteve të raportuara për vjedhjet e makinave, uniformat blu kanë prangosur grabitësit.

Nga statistikat e policisë, numri më i lartë i vjedhjeve regjistrohet në muajt korrik dhe gusht, ku një makinë grabitet çdo dy ditë. Këto 2 muaj përkojnë me kthimin e emigrantëve në vendlindje, ku vijnë bashkë me makinat e tyre. Parkimi në zona të pasigurta, ku mungon ndriçimi dhe ambientet që nuk janë të monitoruara nga kamerat e sigurisë është një faktor tjetër që ndihmon hajdutët e mjeteve.

Një pjesë e madhe e automjeteve të vjedhura çmontohen dhe shiten për pjesë të përdorura në tregun e zi, brenda vendit. Ndërkohë që, disa nga makinat luksoze, pasi iu ndryshohet numri i shasisë arrijnë të tregtohen në vendet fqinjë si, Kosovë, Mali i Zi dhe Maqedoni.