Arritja e qeverisë, në 4 muaj u ndërtuan plot ... 2.3 km rrugë

Qeveria e shpall si arritje faktin se ka ndërtuar 2,3 kilometër rrugë në katër muajt e parë të vitit 2018, të cilat kanë kushtuar 12.5 milionë euro.

Të dhënat u publikuan nga Ministria e Financave në një raport për monitorimin e treguesve financiare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për 4-mujorin e parë.

Siç shihet nga të dhënat zyrtare 1 kilometër ka kushtuar 6 milionë euro.

Nga 2,3 kilometrat e përfunduara 1,4 kilometër është autostradë me katër korsi dhe një kilometër është rrugë e tipit B me dy korsi.

Ministria e Financave raportoi se për grup produktin ndërtimi i Rrugëve janë realizuar fonde në masën 1,628 milion lekë, nëpërmjet:

Ndërtimit të 0.2 km rruge tip A2 me katër korsi (2×2), paraqitet me një realizim prej 20.8% të planit për këtë tip rruge. Vihet re se kostoja për njësi ka luhatje, por nuk paraqiten argumenta lidhur me këtë fakt. Disa nga objektet e rëndësishme, të realizuara nga ky produkt janë:

-By pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, nga loti 8 deri në lotin 11,

-Rruga Kukës-Morinë Loti 2, dublimi,

-Vendosja e mbikalimeve për këmbësorë në aksin Thumanë-Milot dhe Kukës-Morinë.

Ndërtimit të 1.25 km rruge tip A2’ 2×2 me trotuar dhe ndriçim, me një realizim prej 28% të planit për këtë tip rruge.

Vihet re se kostoja për njësi ka një luhatje prej 72,000 lekësh për njësi, më shumë se vlera e planifikuar. Disa nga objektet e rëndësishme, që janë në proces nga ky produkt janë:

-Unaza e Re e Tiranës,segmenti Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës,

-Nyja lidhëse e rrugës Milot-Lezhë, Rrëshen, Thumanë,

-Unaza e jashtme Tiranë, pjesa verilindore,

Ndërtimit të 0.96 km rruge tip B1’ me dy korsi, m realizim prej 9.4% të planit për këtë tip rruge. /Monitor.al