Ndryshimi i kufijve në Kosovë, pse Thaçi ndryshoi qëndrim për 4 muaj?

Presidenti Hashim Thaçi që deri disa muaj më parë nuk pranonte të diskutonte idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, tani këtë e ka temë e ka kthyer në qendër të politikës së tij.

Por ideja e presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë nuk ka mbështetje as brenda partnerëve të koalicionit të qeverisë së Kosovës.

Jo më larg se para 4 muajsh, Thaçi nuk pranonte të futej në hollësi rreth idesë për korrigjim të kufirit me Serbinë, shkruan sot Koha Ditore.

‘Korrektimi i kufijve e kam thënë disa herë që është një opsion i cili mbart me vete shumë rreziqe, të cilat ne të gjithë i dimë, prandaj nuk dua të futem fare në detaje’, kishte theksuar Thaçi në konferencën e mbajtur më 5 prill, ku ishin prezantuar skenarët e ‘Finales së madhe’ në dialog me Serbinë bazuar në analizën e Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), dhe Grupit për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG).

Thaçi kishte këmbëngulur edhe para përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, se Kosova i ka bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme deri më tani nëpërmjet Planit Gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisaari.

Ideja e shkëmbimit të territoreve, në po të njëjtën konferencë ishte kundërshtuar edhe nga përfaqësues të Luginës së Preshevës.

Por sot Hashim Thaçi e ka kthyer këtë temë në bisedën e ditës jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri.

Çfarë e ka bërë Thaçin të ndërrojë mendje kaq shpejt, brenda 4 muajsh duke ndryshuar radikalisht qëndrimin e tij e duke u shprehur haptas për korrektin të kufijve, ndërsa nuk tregon se çfarë do të japë Kosova që Lugina e Preshevës ti bashkohet Kosovës?

Apo ndoshta takimet me Alex Sorosin dhe përfaqësues të tjerë të këtij fondacioni, kanë bërë që Hashim Thaçi të ndryshojë 180 gradë ndryshimet e tij?

Kjo mbetet për tu parë në ditët e javët në vazhdim.