Maldini blerja më e re e Leonardos tek Milan

Legjenda kuqezi Paolo Maldini është pranë rikthimit te skuadra e Milanit, ekipi që për 25 vite me radhë ka qenë familja e tij. Ish-kapiteni i kuqezinjve do të ketë një detyrë si drejtues në organigramën e re dhe lajmi pritet të zyrtarizohet brenda ditës së sotme.

Ka qenë drejtori i ri sportiv Leonardo ai që e ka kërkuar me ngulm rikthimin e Paolo Maldini në klub, tashmë 50 vjeç dhe me një mision të veçantë. Por edhe pronarët e rinj të Milanit, Shoqëria Elliott, ka qenë dakord me këtë lëvizje, që do të rikthente një nga legjendat e këtij ekipi.

Ardhja e Maldinit në klub konsiderohet si “blerja” më e rëndësishme e epokës Leonardo si drejtues, që në karrierën e tij ka fituar gjithçka me skuadrën kuqezi. Ditën e diel pritet që të konfirmohet edhe detyra që ish-mbrojtësi do të mbulojë në klubin e zemrës, si menaxher, zv.president apo drejtor sportiv.