FOTO/ Mes perlave dhe moçalit të jugut ...

Kam disa vite që e frekuentoj jugun e Shqipërisë. Është vërtet një “Karaibe” shqiptare. Natyra na ka dhuruar mrekulli që na i kanë zili.

Ndërsa zbrita në Ksamil përreth kisha turistë nga e gjithë bota. Mbi 70% e pushuesve ishin të huaj. Pak vite më parë isha në Korfuz. Nuk kishte asnjë dallim sa i përket kombësisë së turistëve. Edhe bukuritë natyrore janë po njësoj.  Madje bregdeti ynë është më i bukur…

Ndërsa po qëndroja në shezllon para meje sapo mbërriti një çift nordik. Dëgjova burrin që i thoshte gruas: Është si Bora-Bora, nuk ka asnjë dallim. Dukej që vinin për herë të parë aty. U mahnitën ndonëse plazhi ishte plot e përplot. Përballë ndodheshin tre ishujt. Ndërkohë uji kristal u lagëte këmbët.

I gjithë jugu i Shqipërisë është një perlë. Kjo nuk ka më asnjë diskutim.  Ujë, diell, rreze, kripë, peisazhe mahnitëse. Gjithçka që mund të kënaqë njeriun…

Por kjo është meritë e nënës natyrë. Tani le të flasim për veten tonë, për historinë, mentalitetin, kulturën dhe…për qeverinë.

Të nesërmen mora rrugën për në Butrint. Dhe aty para meje kishin dyndur qindra turistë. Kishte aq shumë sa nuk gjenin vend për parkim. Dikush prej tyre përpiqej të komunikonte me policin, por i mjeri nuk dinte anglisht. Ky ishte prezantimi i parë i turistëve në këtë vend historik.

U futëm brenda. Natyrisht amfiteatri është pjesa më e bukur e këtij qytetërimi. Një e moshuar franceze nisi të interpretojë në skenë, ashtu si të parët tanë dikur.  Dhe ne e duartrokitëm.

Bënin foto, soditnin çdo gurë, çdo portë, çdo detaj dhe diskutonin mes tyre. U ndjeva krenarë për të shkuarën tonë. Por në fakt që këtu më kapi trishtimi.  Poshtë këmbëve tona në ujin e pistë llum, disa breshka uji mezi merrnin frymë. Ishin aq të ndotura, sa në shgullën e tyre kishin zënë alga dhe myk. U larguam nga aty, sepse qyteza e Butrintit është madhështore. Që ta sodisësh mirë do disa orë. Këtu nis dhe pjesa më e sikletëshme. Rrugë dhe kthina pa asnjë sistemim. Disa hunj tregues udhëzonin me shigjeta. Por në njërin prej tyre lexova “Kamza”. Merret me mend se sa i hutuar mund të jetë një turist.

Në objektin e radhës që vizituam ishte e pamundur të afroheshe. Aty jam ndjerë keq, sepse turistët nisën të zënë hundët me dorë. Ishte një moçal me ujë aq të gjelbur e të ngordhur sa e kam vështirë ta përshkruaj.  Ishte një turp. Kam dëgjuar që e justifikojnë me baticat dhe zbaticat këtë fenomen. Por në këto objekti uji nuk kishte asnjë lidhje me liqenin. Mjaftonte një bot për ta mbushur dhe pastruar.

Vazhdoi keq kjo aventurë. Disa nga turistët ngatërruan rrugën. Të tjerë po kërkonin një vend për tu ulur. Më keq akoma, dikë prej tyre e kapi aq shumë etja sa zbriti në liqen dhe ishte gati të pinte aty ujë.

Por unë nuk u tërhoqa nga kjo aventurë. Desha ta shkel Butrintin, krenarinë e historisë sime në çdo pëllëmbë, edhe pse prej vështirësive rruga po më dukej e pafund. Atje në maj të kodrës muzeu ishte i mbyllur. Kështu që zbritëm. Të paktën aty kishte një tualet. U largova dhe krenaria që më kapi në fillim u cfilit nga një trishtim… Thashë me vete: lamtumirë Butrint!

Më tej nuk po ndalem në as në çmimin e shesllonëve, as në maninë e pronarëve për ti vënë ngjit, as në drekat apo darkat e kripura. Në fakt në qytet hasëm njerëz shumë të mirë. Që na u ankuan se ata të plazheve po u prishin shumë punë. Që janë të pangopur dhe po u largohen turistë.

Në kthim vendosa të vizitoj Syrin e Kaltër. Qafa e Muzinësh është një rrugë e ngushtë. Por hajt më. E shtymë si e shtymë. Sapo morëm kthesën drejt Syrit të Kaltër nisi rruga e pashtruar. Në postbllok policët bënë formalitetin duke marrë taksën. Gjë shumë e mirë. Por e lëmë këtu punën e lekut se do flasim pak më poshtë.

U afruam tek Syri i Kaltër. Zhurmë dhe potere  e madhe. Kishte dyndje. Mes tyre sërish qindra turistë. Po të lënë shqiptarët. Hidheshin nga maja e kodrës në ujë. Viheshin në garë. Lemeriteshin. Njëri u ça nga barku, tjetrit i dilte gjak nga hunda. O Zot çbatërdi. Ata (turistët) u mrekulluan nga bukuria e ujit. Donin të bënin një foto. Ishin me kulturë, me ndroje. Po ku? Të linin këta të egrit tanë.

Edhe aty kishte disa policë të djegur në fytyrë, veshur me rroba që ia kish shpalrë dielli e që dukeshin të të vjetra si të një hallexhiu.

Tani le të kthehemi tek administrimi. Si në Butrint ashtu dhe në Syrin e Kaltër vilen miliona lekë. Në mos qindra milionë apo edhe miliardë. Po deshët ia bëj unë llogarinë. 1000 turistë në ditë në Butrint herë 500 lekë (të reja) mesatarisht bileta, baraz me 5 milion lekë të vjetra në ditë. Tani shumëzojeni për 30 ditë apo 365. Bëjeni llogarinë vetë se sa lekë i hyjnë në arkë ministrisë.

Kalojmë tek Syri i Kaltër. Këtu marrin 500 lekë të vjetra për person, ose 2 mijë për çdo makinë. Imagjinoni sa turistë hyjnë aty në ditë. Sërish llogarinë bëjeni vetë.

I solla këta dy shembuj për të treguar se vende të tilla gjenerojnë aq shumë të ardhura sa është mëkat i madh të mos bësh investime. Që Butrinti të mos jetë moçal, të ketë edhe rrugë të sistemuara, edhe parqe çlodhëse, edhe bidona me ujë. Që 2 km që të çojnë tek Syri i Kaltër të mos mbetet e pashtruar sepse vetë ky “Sy” e shtron atë me florinj.

Kështu e lashë jugun duke i thirrur mendjes dhe duke i bërë pyetje vetes. A ia vlen të bësh më pushime në Shqipëri? /Infoelbasani.al/ Fatos Salliu.