Thirrjet raciste në Krushevë, reagon Shqipëria

Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme  ka dënuar ashpër thirrjet antishqiptare gjatë festimeve të Ditës së Republikës në Maqedoni.

Në një deklaratë për mediat, MEPJ, ‘shpreh keqardhjen dhe dënon gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet raciste antishqiptare të hedhura dje gjatë ceremonisë së festimit të kryengritjes së Ilindenit në Meçkin Kamen në Krushevë.

Besojmë se këto janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme dhe shpresojmë që incidente të tilla që ndjellin urrejtje ndëretnike të mbeten të izoluara.

MEPJ i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë nxitësit e dhunës dhe vendosjen e tyre para drejtësisë’.

Në deklaratë thuhet se Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë.

‘Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë’, përfundon deklarata e MEPJ-së.