Europa Legue dhuron spektakël dhe gola pafund

Ndeshjet e raundit të dytë në “UEFA Europa League” kanë prodhuar një numër rekord golash. Plot 44 ndeshje u luajtën ditën e sotme, duke startuar me skuadrën shqiptare, Laçi në orën 17:00. Kurbinasit nuk arritën të bënin surprizën e madhe dhe u dorëzuan sërish kundër një Molde shumë të fortë.

Edhe skuadra e Dritës nuk arriti të kualifikohet kundër Dudelange. Ekipi kosovar nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në fushën e tyre, duke i dhënë lamtumirën “Europa League” pas rezultatit të përgjithshëm.

Etrit Berisha ishte në formacionin titullar të Atalantës dhe skuadra italiane shpartalloi Sarajevon me rezultatin e thellë 8-0. Rrjetë e paprekur dhe paraqitje shumë pozitive për portierin kuqezi.

Elis Bakaj e nisi takimin nga minuta e parë për skuadrën e Soligorsk, por nuk arriti të lërë gjurmë përballë një Lek Poznan shumë mirë të vendosur në fushë. Sulmuesi shqiptar u zëvendësua në minutën e 64′ të sfidës.

Sulmuesi tjetër shqiptar, Qaka luajti vetëm 30 minuta për Steaua Bukureshtin në fitoren e thellë 4-0. Edhe pse nuk gjeti rrugën e rrjetës, Qaka bëri një ndeshje shumë të mirë në minutat që iu besuan.

Skuadra e Torpedo ka shpartalluar 0-4 Vikingur në fushën e këtyre të fundit dhe do të jenë skuadra që ekipi shqiptar, Kukësi, do të ketë përballë.

Një ditë e mbushur me gola ka qenë kjo në “Europa League”, pasi në 44 takime, janë shënuar plot 138 gola.