Policia Rrugore ‘e angazhuar’..., 40 shoferë të arrestuar për fundjavë

Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Policisë Rrugore bën të ditur se këtë fundjavë edhe falë masave shtesë të marra, nuk u regjistrua asnjë aksident rrugor me pasoja serioze, në zonat turistike.

Me gjithë ngarkesën në lëvizje në disa akse kombëtare, apo drejt zonave të plazheve në orare të caktuara, efektivët e Policisë Rrugore dhe forca shtesë policore ia dolën të menaxhonin trafikun e rënduar.

Për 3 ditë Drejtoria e Policisë Rrugore, krahas menaxhimit të lëvizjes, në kuadër të parandalimit të ngjarjeve me pasoja të rënda në akset rrugore, gjatë javës së fundit ka arrestuar 27 shoferë për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 13 për mungesë të lejes së drejtimit. Janë pezulluar gjithashtu 113 patenta, për tejkalim të limiteve të shpejtësisë dhe drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

Për mbi 3.500 drejtues mjeti janë vendosur masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor, sidomos për parakalime të gabuara, mosvendosje të rripit të sigurimit, mospërdorim të kaskove mbrojtëse dhe përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve.