FOTO/ 'Nuk kam asgjë me Xhelal Dacin, por mora 5 mijë euro për t'i vënë tritolin!'

“Mora 5 mijë euro për të vënë tritol. Pranoj autorësinë e vendosjes së lëndës eksplozive. Tritolin e kam blerë në Fushë Krujë. Jam i papunë, nuk kam asnjë të ardhur. Kisha nevojë për para prandaj e bëra. Nuk kam asgjë më Xhelal Dacin, e bërë vetëm se më duheshin paratë. Të atin e Gazmir Dacit e njoh se jetoj në Kamëz."

Ky qe rrëfimi i drejtëpërdrejtë dhe pa doreza, i atentatorit me pagesë Vilson Brahaj, që  u arrestua mbrëmjen e së dielës nga Policia e Tiranës dhe Komisariati nr. 5 i Kamzës, pas disa hetimeve në vendin e ngjarjes dhe nga kamerat e sigurisë. Pikërisht në ato kamera, Brahaj shfaqet duke ikur me vrap pasi ka vendosur diçka në banesën e Dacit. Ai i ka hedhur rrobat që veshi  atë natë, më 27 korrik 2018, në lumë tek ura e Tapizës, kurse makinën që përdori në një bodrum po aty afër.

Megjithatë, Vilson Brahaj nuk e ka treguar se cili qe personi që e porositi dhe e pagoi për të vënë tritolin.

 Policia megjithatë ka dyshimet e veta pasi familja Daci ka një konflikt me familjen Kolaveri. Gazmir Daci ka vrarë Valmir Kolaverin më 4 nëntor 2015 në Kamëz dhe ka plagosur vëllain e tij, Saimir Kolaveri; pë pasojë, është dënuar me burg. Babai i tij, Xhevdet Daci, fshehu armën e rkimit dhe u dënua me burg, të cilin e ka përfunduar.

Pas kësaj vrasjeje, ka nisur hakmarrja ndaj familjes Daci nga pala tjetër. Vrasësit , Gazmir Dacit, iu bë atentat me snajper në burg, nga i cili nuk pësoi asgjë. Ndërsa ndaj familjes së tij, ka pasur disa herë kërcënime deri tek tritoli që iu vendos së fundmi. Babai i Gazmir Dacit, Xhevdet Kolaveri, ka akuzuar publikisht familjen Kolaveri për të gjitha sulmet ndaj tyre.

OPERACIONI PAGESA PER KAPJEN E TRITOLVENESIT

Policia e Shtetit njoftoi sot Komisariati Numër 5 Kamëz, në bashkëpunim me Policinë Tiranë, pas një punë profesionale si dhe bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, mbrëmjen e djeshme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pagesa”, ku është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 27.07.2018, në rrugën "Martin Camaj" Bathore, ku në banesën e shtetasit Xh.D., është vendosur lëndë shpërthyese, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje V.B, 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz ,Tiranë.

Nga tërësia e veprimeve të kryera dyshohet se ky shtetas kundrejt pagesës ka vendosur sasinë prej 500 gramë lëndë plasëse në banesën e shtetasit XH.D.

Autori i dyshuar pas kryerjes së krimit ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura gjatë kryerjes së krimit, ndërsa automjetin e kishte fshehur në një bodrum afër “Urës së Tapizës”.

Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhënë të tjera.

Sa më sipër në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti të cilin autori i dyshuar e ka përdorur për të transportuar dhe shpërthyer lëndën plasëse në banesën e shtetasit Xh. D.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit V. B, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.