‘Bomba’ e ish-lojtarit të Serie A: Drogën e kam provuar, më pëlqejnë armët

Ricardo Centurion, një prej talenteve të mëdhenj argjentinas, që deri tani ende nuk janë shprehur plotësisht, është rrëfyer gjatë një interviste për emisionin “PH-Podemos Hablar” të ‘Telefe’.

“Kam kaluar një fëmijëri të vështirë, jam rritur në një qytet pranë Avellaneda, aty ku sot nuk mund të kthehem. E gjithë kjo për shkak të zilisë, shumë zili. Dhe familja ime e vuan.

Kam humbur babain tim që në moshë të vogël. Punonte në një fabrikë ilegale të fishekzjarrëve, në të zezë. Nuk dihet se si, por një ditë shpërtheu. Aty punonin shtatë punonjës dhe vdiqën të gjithë. Unë isha 5 vjeç dhe aty nisi një jetë e re. Nëse nuk e shohë në foto, nuk më kujtohet fare”, rrëfeu argjentinasi që është aktivizuar me Genoa në Seria A.

Jetim që fëmijë, Centurion ka patur shoqëri të rrezikshme.

“Më pëlqejnë armët, por nuk kam kryer kurrë ndonjë krim. Kam bërë edhe foto i armatosur, në San Nicola, përpara se të bëhesha profesionist. Nëse do të isha rritur me jahte, atëherë do të kisha bërë foto me jahte. Por nuk e kam patur atë fat.

Kur kam debutuar në Primera, ndodhi gjithçka bashkë dhe nisa të përdor marijuanë. Sot ka kontrolle antidoping surprizë, dhe nëse rezulton pozitiv, atëherë është një njollë që nuk arrin kurrë ta heqësh. Por më parë bënin kontrolle një herë në javë dhe ishte ndryshe, por kam provuar drogë”, përfundon Centurion.