OSHEE, 1.2 miliardë lek humbje, por shpenzon 6 mln euro për luks

Kryeministri Edi Rama e nisi ditën sot duke publikuar në profilin e tij personal në Facebook pamjet e godinës së re të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

‘Po ndaj me ju pamjet e para të qendrës së kompanisë më të madhe publike të Shqipërisë,’ shkruan Rama në Facebook.

Shpenzimet e qeverisë për luks, teksa një pjesë e madhe e qytetarëve jetojnë në varfëri, nuk janë më një lajm i ri.

Vitet e fundit pjesa më e madhe e investimeve publike kanë shkuar për rikonstruksione zyrash dhe mobilim të ambienteve publike dhe jo për vepra që u shërbejnë qytetarëve.

Por rasti i ndërtesës së OSHEE-së është flagrant. Kompania shpenzon miliona euro për godinën e re edhe pse del me humbje. 

Ndonëse qeveria rriti me 27 për qind çmimin e energjisë duke future në burg mijëra qytetarë të varfër që nuk kanë mundësi të paguajnë tarifat e rritura të energjisë, sërish kjo nuk ka mjaftuar që OSHEE të dalë më fitim.

Të dhënat nga bilanci zyrtar tregojnë se vitin e kaluar kompania shënoi një humbje prej 1.2 miliardë lekësh ose 10 milionë euro.

Por teksa kompania del me humbje, ajo ka shpenzuar 6 milionë euro për të rikonstruktuar godinën ku më parë ndodhej Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, përmes një tenderi të shumëpërfolur për korrupsion.

Ndërtues, miku i Ramës

Tenderi për ndërtimin e godinës së re të OSHEE u zhvillua në vitin 2015. Në të morën pjesë disa kompani, por fitues u shpall kompania ‘Eurocol’, me ofertë 500 mijë euro më të lartë se garuesi i dytë. Por shpallja fituese e kompanisë që ofroi çmimin më të lartë nuk është njolla e vetme në tenderin për godinën luksoze të OSHEE.

Kompania Eurocol zotërohet nga Pandi Carapuli, i njohur si një nga biznesmenët më të afërt me kryeministrin Edi Rama. Ajo është e njëjta kompani, e cila ka ndërtuar vilën luksoze të kryeministrit Rama në Surrel.

Opozita e ka denoncuar disa herë tenderin si një aferë korruptive me fitues të paracaktuar mikun e kryeministrit, akuza të cilat janë përforcuar edhe nga vlerat e kontratës.

Në preventivin për llogaritjen e fondit limit, OSHEE e vendosi koston për rikonstruksionin e ndërtesës 1600 euro për metër katrorë, ndërkohë që kostoja mesatare për ndërtimin e një godine të re është rreth 4 herë më e ulët.

Të gjitha këto fakte janë bërë publike nga media. Por në vend që të japë shpjegime për shpërdorimin e parave publike, kryeministri i quajti ordinerë të gjithë ata që e akuzojnë, por nuk shpjegoi se përse tenderi u fitua pikërisht nga kompania që ndërtoi vilën e tij në Surrel.