Mijëra në homazhe për Adem Demaçin

Homazhe, seancë komemorative si dhe flamuj të ulur në gjysmështizë, karakterizuan organizimet për të nderuar Adem Demaçin, veprimtarin e njohur politik dhe aktivistin për të drejtat e njeriut, i cili vdiq të enjten në Prishtinë, në moshën 82 vjeçare.

Me intonimin e himnit të Kosovës, himnit kombëtar shqiptar dhe me një minutë heshtje, Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën komemorative.

Në seancë kanë marrë pjesë dhe anëtarët e famijes Demaçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha në këtë seancë se Demaçi ishte ndër figurat më të mëdha të këtyre 100 vjetëve të fundit.

“I gjithë kombi ynë është në pikëllim. Kemi humbur njërin prej njerëzve të mëdhenj që ka dhënë kjo tokë në 100 vjetët e fundit”, tha Veseli.

“Kemi humbur Adem Demaçin, simbolin e gjithë lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Heroin dhe frymëzimin tonë. Dhimbja është e pafund. Por, po aq e pafund edhe krenaria që e patëm këtë burrë të madh, të rrallë e të jashtëzakonshëm të kombit. Një patriot të pashoq”, u shpreh ai.

Adem Demaçi, nënvizoi Veseli, e kishte mposhtur frikën nga pushtuesi dhe me guximin e tij ai e mësoi një popull të tërë ta mposhtë frikën.

“Këtu nisi liria, sepse një popull që nuk i frikësohet pushtuesit, ai domosdo do ta fitojë lirinë”, tha Veseli.

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë vlerësuar lartë figurën e veprimtarit të njohur politik Adem Demaçi./REL