Vdekja e Adem Demaçit, Akademia e Shkencave të Shqipërisë humb një figurë të madhe

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shprehur sot hidhërimin e saj për ndarjen nga jeta të Adem Demaçit. Në një deklaratë lëshuar sot thuhet:

"Dje në mesditë në Prishtinë dha frymën e fundit shkrimtari dhe veprimtari i njohur shqiptar Adem Demaçi, “Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”.

Protagonist i lëvizjes kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi për më shumë se një gjysmë shekulli, Adem Demaçi u nda nga jeta në moshën 82 vjeç. 

Me romanin "Gjarpijt e gjakut", qarkullimi i të cilit u ndalua menjëherë pas botimit, Adem Demaçi shenjoi fillimet e letërsisë shqipe në Kosovë. 
I dënuar i ndërgjegjes me 28 vjet burgim, ai konsiderohet figura më e rëndësishme e qendresës për liri mendimi ndër shqiptarët në ish-Jugosllavinë e dytë dhe të tretë. 

Fitues i çmimit "Saharov" për rolin që pati veprimtaria e tij në shërbim të ikurajimit të shpresës për barazi qytetare dhe të drejta njerëzore, Adem Demaçi u shndërrua në një figurë kryeshenjë të breznive qendrestare shqiptare në Kosovë (1968, 1981, 1998). 

Dy vjet më parë Adem Demaçi është nderuar me mirënjohjen “Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”. Një konferencë shkencore-jubilare iu kushtua veprës dhe rolit të tij nga ASH. 

Figura e Adem Demaçit do të jetë frymëzuese edhe për brezat e ardhshëm për të besuar në fuqinë e ideve për ndryshimin e botës dhe të fateve njerëzore e kombëtare. 

Akademia e Shkencave i shpreh ngushëllimet e saj të gjithë të afërmve, miqve dhe kolegëve të z. Dema?i. E paharruar Jeta dhe Trashëgimia e Tij!