Atentat me eksploziv në Kamëz familjes së vrasësit, hera e dytë pas atentatit me snajper

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në Bathore në Tiranë, në shtëpinë e Xhevdet Dacit dhe kjo është e dyta herë që i bëhet atentat kësaj familjeje.  Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, por vetëm dëme materiale në katin e parë të banesës.

Xhevdet Daci është babai i Gazmir Dacit, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Valmir Kolaverit. Atentati i parë iu bë me snajper vetë të dënuarit Gazmir Daci në burgun e Vaqarrit, por ai arriti t'i shpëtojë.

Gazmir Daci, më 4 nëntor 2015, në Kamëz, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Valmir Kolaveri, si edhe ka kanosur për vrasje vëllain e viktimës, Saimir Kolaveri. Policia e Tiranës e mbështetur nga Forcat “RENEA” rreth orën 23:30 të datës 22 dhjetor 2015 zhvilloi një operacion ku kapi Elson (Gazmir) Dacin 27 vjeç, lindur në Kukës e banues në Bathore, Kamëz. 27-vjeçari u prangos teksa fshihej në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës.

Për ngjarjen, Prokuroria e Tiranëss akuzoi  për “armëmbajtje pa leje” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” edhe babanë e Gazmirit, Xhelal Dacin si dhe Ezel Bajën, lidhje shoqërore e tyre. Pikërisht ndaj Xhelal Dacit u drejtua sot sulmi me tritol.