‘Veliaj pandeh se jam shtatzënë’-Iriqi bisedon me Bashkim Finon

Iriqi: - Ku do i kalosh pushimet?

Fino: - Kam ca vite që i kaloj në spitalet italiane. Edhe sivjet dy javë do shullëhem në spitalin e Napolit.

Iriqi: - Në spital?!

Fino: - Po, se kështu m’i paguan shteti pushimet. Shkoj gjoja në spital në Napoli dhe përfundoj në resort me pesë yje. Pastaj faturat i rregulloj sikur m’i bën spitali. Dhe fap paguajnë shqiptarët.

Iriqi: - Edhe vjet more ca miliona për një sëmundje. Çfarë kishe?

Fino: - Bëra një kurs si ta mbash puron në gojë dhe të mos të bjerë në tokë, paçka se ti mund të bësh muhabet. Qenë 21 leksione. Plot tre javë në Itali. Por ia dola. Tani pi njëzet puro dhe nuk e heq fare nga buzët deri sa fiket.

Iriqi: - Po pse duhet të paguajë qeveria, paguaji vetë këto leksione.

Fino: - Boll paguaj lekët e ashensorit në pallat. Akoma do harxhohem? Mos harro, jam nga Gjirokastra.

Iriqi: - Pse hyre në garën për kryetar i Federatës së Futbollit?

Fino: - Se mua më takon më parë se kushdo ai post. A nuk ngjaj me topin? Jam krejt rrumbullak.

Iriqi: - Kur je ndjerë në siklet me fizikun tënd?

Fino: - Tre herë. Njëherë kur shkova në Rinas si kryeministër dhe prita ardhjen e Leka Zogut. Ai ishte aq i gjatë sa kur i zgjata dorën nuk di se ç’kapa. Hera e dytë kur dola nga shtëpia për të shkuar në punë. Disa fëmijë më pyetën: ‘Xhaxhi Baçi, ti rrokullisesh kur zbret shkallët?’ Dhe së treti, një darkë isha i dehur e ngaqë nuk kishim ashensor e banoja në katin e tretë roja i thoshte rojes, ta shpojmë me një gozhdë se fluturon vetë drejt e te dhoma e gjumit ky!

Iriqi: - Beson se Rama do të të vendosë prapë në listë?

Fino: - Mendoj se po. I kam thënë që më duhen dhe ca analiza mjekësore në Itali për 5 vitet që vijnë.

Iriqi: - Dhe nëse nuk të dëgjon?

Fino: - Nuk e kam problem, nga që zgjedhjet ai i humb. Dhe në opozitë nuk rri dot. Kam jetë të shtrenjtë unë. Me ndihmën e qeverisë e me zi po ia dal.

Iriqi: - Po për teatrin a ke ndonjë sugjerim?

Fino: - Unë merrem me spitalet. Me teatrin merret direkt Veliaj. Është aktor i lindur. Një ditë më pyeti, ‘o Bashkim, në ç’muaj të shtatzënisë je?’ Nga që gënjeu për Griseldën më hyri frika. Prit kur mashtruesi të lajmëroje Parlamentin Evropian se Finos ia hoqi beben nga barku Saliu. Mbeta dy muaj duke marrë në celular Mogherinin, se do më merrte erzin.

Iriqi: - Flitet se Veliaj do bëhet kryetar i PS. Si thua?

Fino: - Siç po shkojnë punët kam frikë se vitin që vjen do kemi Shullazin në krye. Ai do jetë si koordinator i bandave. PS po shkon në p.s. E kupton, vëlla Iriqi. Ua, sa ngjasim ne të dy nga barku! Po pse nuk ma ka thënë aneja se unë e paskam origjinën nga iriqët. Do ishte më mirë ta kisha nga fiqtë...