Ndryshon situata e Sadikut te Levante, shkak bëhet një operacion

Një dëmtim dhe një operacion mban Armando Sadikun te skuadra e Levantes në pjesën e parë të sezonit.

Nuk bëhet fjalë për një problem të sulmuesit shqiptar, përkundrazi, bëhet fjalë për një të personit i cili praktikisht bëri të pamundur aktivizimin e rregullt të Sadikut në sezonin e kaluar te skuadra spanjolle.

Sulmuesi Emanuel Boateng ka pësuar dje një dëmtim në meniskun e këmbës së majtë në stërvitje dhe do të detyrohet t’i nënshtrohet një operacioni.

Si rrjedhojë, ai do të mungojë 4-5 javë, si pushim absolut pas ndërhyrjes, e më pas të fillojë riaftësimin, duke munguar kësisoj në fazën përgatitore e si pasojë në fillimin e sezonit.

Kësisoj, Sadiku do të jetë alternativa e parë e sulmit, pasi klubi nuk po planifikon që të marrë një sulmues tjetër në pritje të riaftësimit të ganezit, i cili shihet si një element shumë cilësor dhe i perspektivës.

Këtë e konfirmoi edhe drejtori sportiv i Levantes, Tito, i cili theksoi se për momentin, nuk mendohej afrimi i një tjetër futbollisti.

“Kemi Sadikun, apo edhe lojtarë të tjerë që mund të zënë vendin e Boateng, nuk jemi shumë të shqetësuar për këtë mungesë”, ishin fjalët e tij për mediat spanjolle.

Kësisoj, transferimi i Sadikut drejt kampionatit turk apo grek, nga i kishin ardhur ofertat së fundmi, duket se është “ngrirë” për momentin.

Klubi spanjoll nuk dëshiron të mbetet pa alternativa në stol në fillimin e sezonit ndaj pritet që t’i rezervojë hapësira Sadikut derisa Boateng të kthehet në formën më të mirë.

Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer për sulmuesin shqiptar të tregojë vlerat e tij, e pse jo, të garantojë qëndrimin te Levante.