UEFA zyrtarizon ndryshimet te Kukësi

UEFA ka zyrtarizuar ndryshimet që ka bërë Kukësi për sfidën e radhës në Ligën e Kampioneve përballë Qarabag, ku mund të afronte apo largonte lojtarë në ndryshim nga lista me emrat që kishte paraqitur për duelin ndaj Vallettës.

Në listë ka pasur disa ndryshime të vogla në krahasim me sfidën e parë, ku bie në sy sidomos afrimi i Rexhinaldos, si dhe largimi i një prej futbollistëve të kontingjentit ekzistues.

Ndonëse Rexhinaldo nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë, e me shumë mundësi as të dytën meqë nuk ka bërë fazën përgatitore, klubi i Kukësit e ka përfshirë atë në listën bazë.

Ndaj për t’i bërë vend futbollistit duhej sakrifikuar një tjetër lojtar nga radhët e kësaj skuadre.

Fillimisht u hoq emri i Lavdrim Ebipit, por më pas u vendos që të mbahej, pasi ai është lojtar i cili mund të luajë në disa pozicione në mesfushë.

I sakrifikuari ndaj Qarabagut do të jetë braziliani Roxher, i cili u afrua me shumë bujë gjatë merkatos së verës, por ende nuk ka lënë gjurmë në radhët e verilindorëve, e nuk do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij në këto dy ndeshje meqë është hequr nga lista.

Mes lojtarëve figuron ende Vangjel Zguro, edhe pse ai është i pezulluar për ndeshjen e parë për shkak të kartonit të kuq që mori në Maltë.