VIDEO/ Cungu optimist para sfidës me Qarabagun, deklarata e fortë e teknikut të Kukësit

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, ka folur para pak minutash në konferencën e zakonshme të shtypit një ditë para ndeshjes së Champions League me Qarabagun, ku ka dalë bashkë me kapitenin Ylli Shameti.

Cungu ka theksuar se skuadra e tij duhet të jetë shumë e kujdesshme në ndeshjen e nesërme me Qarabagun për të mos pësuar.

Ai nuk pranoi ta bënte të ditur formacionin, ndërkohë që pret mbështetjen e publikut shkodran.

Trajneri i Kukësit u shpreh gjithashtu se skuadra ka nevojë për të tjerë lojtarë me kualitet, veçanërisht në fazën sulmuese.

“Unë jam një trajner që kërkoj vetëm një rezultat dhe gjithmonë kërkoj fitoren. Ndaj edhe kundër Qarabakut do të kërkojmë fitoren, gjë e cila nuk është pamundur.

Jemi përpara një ndeshjeje të vështirë dhe të rëndësishme. E njoh Qarabagun prej kohësh, jo tani që e kemi kundërshtar. Ndoshta nga fakti që aty kanë luajtur futbollistë shqiptarë. Kam parë edhe ndeshjen e fundit të këtij ekipi dhe e di që është një ekip i fortë", tha trajneri Cungu në konferencën për shtyp, duke ftuar tifozët shkodranë të mbështesin ekipin e tij në "Loro Boriçi".