FOTO /Situatë tmerri në Athinë, shkon në 56 numri i viktimave. Ja harta e zjarreve

Një situatë tmerri po përjeton Athina nga flakët e zjarrit. Autoritetet greke thonë se të paktën 56 persona kanë vdekur dhe më shumë se 150 të tjerë janë plagosur pas zjarreve në pyll pranë kryeqytetit të Greqisë, Athinës.

Vetëm në një vend pranë një restoranti në Mati të Atikës janë gjetur 26 trupa njerëzish të djegur, midis tyre edhe fëmijë, ndërsa 150 persona ndodhen në spital, 15 prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën, raporton BBC. Spitalet e Athinës janë vënë në gjendje emergjence, ndërkohë që ambulancat vazhdojnë të dërgojnë të plagosur dhe trupa të viktimave.

Zëdhënësi i qeverisë Dimitris Tzanakopoulos tha më herët të hënën në një deklaratë televizive se numri i të vdekurve ishte më i madh se 20, ndërsa më shumë se 88 të rritur dhe 16 fëmijë u plagosën.

Një nga viktimat që kishte moshën më të vogël raportohet një fëmijë vetëm gjashtë muajsh i vdekur nga asifksimi prej tymit.

Kryeministri grek Alexis Tsipras bëri një vizitë të shkurtër në Bosnje të hënën dhe u kthye në Athinë për të mbajtur një takim urgjent me shefat e zjarrfikëses dhe zyrtarët e qeverisë rreth situatës së rrëndë në të cilën ndodhet vendi.

Qeveria kërkoi ndihmë ndërkombëtare për të përballuar zjarret, të cilat kanë shkatërruar dhjetëra shtëpi, dhjetra makina kanë djegur dhe kanë nxitur banorët dhe turistët të iknin në plazhe në lindje të Athinës. Greqia tha se Qiproja ofroi zjarrfikës dhe Spanja kishte ofruar avionë që hidhnin ujë për të shuar zjarret.

Një dëshmitar i tha Reuters se ata panë të paktën katër persona të vdekur në një rrugë të ngushtë të bllokuar me makina që shkonin të shpëtonin në një plazh aty pranë.