Ja si Botërori i Rusisë ndikoi negativisht në ekonominë e Shqipërisë!

Këtë vit ra në sy një rënie drastike në të dhënat që vinin nga disa vende të Europës lidhur me numrin e turistëve të huaj që vizitojnë vendin tonë.

Anglia, Polonia, Gjermania dhe Zvicra regjistruan një numër më të vogël se ecuria e deriatëhershme. Çfarë kanë këto shtete të përbashkët? Ato ishin kualifikuar në Kampionatin Botëror, i cili nisi më 14 Qershor, dhe grupet e mëdha të tifozerive udhëtuan drejt Rusisë për të mbështetur ekipin kombëtar.

Krahasuar me periudhën Janar-Maj, raporton SCAN, ecuria vjetore e hyrjeve nga Anglia ra me 15.3 pikë përqindje, për Gjermaninë ra me 22.8 pikë përqindje, ndjekur nga Polonia me një rënie prej 17.5% dhe Zvicra me 3.4%.

Rënia e individëve që prenotuan pushime gjatë Qershorit u vu re edhe nga tur operatorët e këtyre vendeve, me në veçanti Britaninë e Madhe, ku mbërritja e Anglisë deri në gjysmëfinale të kompeticionit i shtyu më tej pushimet. Ndërsa në rastin e Gjermanisë, e cila u eliminua në fazën e grupeve, shtyrja e rezervimeve zgjati vetëm dy javë, megjithatë dha efekt negativ në uljen me rreth 15% të prenotimeve për destinacione të ndryshme turistike.

Menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës, tur operatorët regjistruan një rritje prenotimesh me mbi 250% rritje krahasuar me ditët e mëparshme, çka do të thotë se gjithsesi tifozët nuk do të heqin dorë nga bregdeti.

Të ndikuar nga Kupa e Botës mund të jenë edhe tifozët e Suedisë dhe Danimarkës, ku vendi ynë është një destinacion shumë në modë vitet e fundit.

Në rastin e Shqipërisë, kjo do të thotë se rreth 5 mijë turistë të munguar në datën e zhvillimit të kampionatit, mund të vizitojnë vendin tonë në fund të Korrikut apo gjatë muajit Gusht.