Rritet lehtë çmimi i naftës, shkak lufta tregtare

Çmimet e naftës janë stabilizuar gjatë sesionit të parë të kësaj jave, pasi shqetësimet për mbifurnizimin e tregut janë larguar. Por, megjithatë investitorët vijojnë të jetë të shqetësuar se lufta tregtare  mes ekonomive më të mëdha në botë do të reduktojë rritjen ekonomike dhe do të dëmtojë kërkesën globale për energji. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 73.2 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 68.2 dollarë për fuçi.

Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e bankave qendrore të G20 përfunduan takimin e zhvilluar gjatë fundjavës në Buenos Aires dhe bënë thirrje për më shumë dialog, për të parandaluar tensionet tregtare dhe gjeopolitike. Bisedimet u zhvilluan me një përshkallëzim të retorikës tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, dy ekonomitë më të mëdha në botë, që deri më tani kanë vendosur tarifa prej 34 miliardë dollarë për mallrat reciproke. Të premten, ndërkohë, presidenti Donald Trump kërcënoi se do të vendosë tarifa prej 500 miliardë dollarë ndaj eksporteve kineze në SHBA, nëse Pekini nuk bie dakord transferimet në teknologji dhe subvencionet në industri, njofton Scan.tv.

Ndërkohë, kompanitë amerikane të energjisë e ulën numrin e puseve aktive, gjatë javës së kaluar, me hapin më të shpejtë që nga marsi, për shkak të rënies së çmimeve të naftës. Referuar të dhënave, numri i puseve aktive ra me 5 njësi, gjatë javës që u mbyll më 20 korrik, në totalin e 858 puseve.