Roma po e priste me jehonë, Barcelona i vjedh sulmuesin

Një ngjarje e papritur ka ndodhur sot në Itali, ku pritej të mbërrinte sulmuesi brazilian Malkolm. Futbollisti pritej të kryente nesër vizitat mjekësore dhe të nënshkruante me Romës, pasi kjo e fundit kishte gjetur akordin me klubin e Bordo për transferimin e tij dhe të dy palët kishin bërë edhe njoftimet përkatëse në rrjetet sociale për tifozët e tyre.

Lojtari u nis drejt aeroportit për udhëtimin drejt Italisë, por në darkë, klubi italian u njoftua nga francezët se futbollisti nuk do të udhëtonte sot, por “ndoshta nesër”. Sipas asaj që u mësua më vonë, shkak për këtë ndryshim është bërë klubi i Barcelonës.

Roma ka një akord për pagesën e 32 milionë eurove (+4 bonus) për lojtarin, por katalanasit kanë ndërhyrë në momentin e fundit dhe kanë bërë në ofertë më të lartë, si për Bordonë, ashtu edhe për futbollistin. Kjo ka shtyrë Malkolm të qëndrojë në Francë për të negociuar me katalanasit bashkë me klubin e tij.

Sigurisht që italianët janë inatosur për këtë vendim të çuditshëm, pasi pretendonin që kishin një akord dhe do të kërkojnë zbatimin e tij. Por për momentin, duket se është Barcelona ajo që ka fituar në këtë mes, duke siguruar lojtarin që praktikisht ia vodhi “në ajër” italianëve.