Tragjedi në Greqi, 1 i vdekur dhe mbi 20 të plagosur nga zjarret e fuqishme

Zjarrfikësit vijojnë përpjekjet për të shuar tri zjarre të mëdha që përfshijnë pyjet dhe shkatërruan shtëpitë në pjesë të ndryshme të Attikës – Kineta në perëndim dhe Pendeli e Kalamos në veri – pasi autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme, pasi të paktën një person u konfirmua i vdekur.

Më shumë se 20 vetë u shtruan në spital për t’u trajtuar për djegie.

Kryeministri Alexis Tsipras, i cili kishte udhëtuar në Bosnje për një vizitë zyrtare, u kthye në Athinë pasi u informua nga ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Nikos Toskas lidhur me zjarret, raporton “Kathimerini”.

Duke shprehur shqetësimin për “frontet paralele”, Tsipras tha se “pavarësisht nga kushtet negative, ne do të bëjmë gjithçka të mundur për ta sjellë situatën nën kontroll”.

Toskas, nga ana e tij, hodhi dyshime se kemi të bëjmë me zjarrëvënie të qëllimshme. “Këto zjarre nuk janë aq të pafajshme”, tha ai duke vënë në dukje se një zjarr kishte shpërthyer në Kineta natën e së dielës, në një vend afër vatrës së djeshme.

Tre fshatra u evakuan pasdite pasi zjarri i parë shpërtheu në malet Geraneia pranë Kinetas. Por, përpjekjet e zjarrfikësve nuk mjaftuan për të ndaluar flakët të digjnin dhjetëra shtëpi.

Ka pasur shqetësim të veçantë pasi flakët e zjarrit që shpërtheu në Kineta iu afruan vendit të rafinerisë së naftës në Aghioi Theodoroi të hënën në mbrëmje. Toskas tha se zjarrfikësit u dërguan shpejt në atë zonë.

Zjarri i dytë i madh shpërtheu më vonë pasditen e djeshme në zonën Pendeli. Autoritetet lokale evakuuan kampet verore të fëmijëve, ndërsa dhjetëra shtëpi dhe makina u shkatërruan, sipas raportimeve të mediave lokale.

Një anije roje bregdetare u vu në kërkim të një vrake me 10 turistë mbrëmjen e së hënës. Turistër raportohet se u larguan ikur nga Mati, në Atikën lindore, për t’i shpëtuar zjarrit. Raportohet se pesë prej turistëve u  gjetën.

Një tjetër zjarr në Apokoronas në prefekturën e Hanias në Kretë gjithashtu vuri në punë zjarrfikësit, më herët gjatë kësaj të marte.