Zbulohen detaje, si u identifikua grabitësja 31-vjeçare nga Mallakastra dhe çfarë deklaroi në Polici

Jo vetëm për para, por edhe për aventurë dhe hakmarrje… Këto mësohet te kenë qenë motivet që e kanë shtyrë 31 vjecaren Anna Malaj, nga fshati Visokë i Mallakastrës, që së bashku me djalin e hallës së saj, Emiljano Grëmbi nga fshati Belinë i bashkisë Patos, të kryejnë vjedhjen me armë të një pike të shitjes së karburanteve me datë 2 korrik, në fshatin Levan të Fierit.

Zbulimi

Pas marrjes së deklarimeve të punonjësit të pikës së shitjes së karburanteve ne Levan të Fierit, ku 22 vjeçari Emiljano Grembi dhe Anna Malaj akuzohen se kanë vjedhur 30 mijë lekë nën kërcënimin e armëve, si edhe të punonjësve të dy karburanteve të tjera që u tentuan të vidhen, policia ka siguruar edhe të dhëna operative se femra shtatlartë dhe simpatike që kishte marrë pjesë në të tre grabitjet, mund të ishte 31-vjeçarja që banonte në Visokë të Mallakastrës, nena e dy fëmije, një vajze dhe një djali, Anna Malaj, që pak vite me pare mbante emrin Jonida.

Nga burime të Fax Neës, mësohet se kur efektivët e policisë kane shkuar për kontroll në banesën e saj dhe e kanë pyetur në se kishte armë, ajo ka dorëzuar menjëherë armën e gjahut që rezultoi të jetë përdorur për grabitjet. Gjithashtu, aty është gjetur edhe automjeti i ngjashëm me makinën e përdorur nga grabitësit që shquhej në kamerat e sigurisë të pikave të shitjes së karburanteve. Pas këtyre fakteve është kryer shoqërimi i 31-vjeçares të cilës i janë marrë deklarimet lidhur me tre ngjarjet. Me anë të kryerjes së veprimeve hetimore speciale, policia dhe prokuroria e Fierit kanë siguruar prova që implikonin 31-vjeçaren dhe kushëririn e saj.

Ndërkohë, mësohet se prokurori i çështjes, Çlirim Sino, gjatë marrjes së deklarimeve, ka konstatuar se 31-vjeçarja mbante në qafën e saj një varëse të ngjashme me atë që mbante vajza e cila shfaqej në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë. Edhe statura e 31-vjeçares dhe aspekte të tjera fizike kanë qenë mjaft të ngjashme me vajzën që kishte bashkëpunuar për kryerjen e tre vjedhjeve me armë.  Pasi janë krahasuar këto të dhëna, 31-vjeçares i është kërkuar që të eci dhe vrapojë për disa metra, prej nga mësohet  se edhe mënyra e ecjes ka qenë e përafërt me grabitësen që shfaqej në pamjet e kamerave të sigurisë. E ndodhur përballë këtyre fakteve, Anna Malaj duket se është “dorëzuar” dhe ka rrëfyer të vërtetën para prokurorit Çlirim Sino, duke pranuar se ishte pikërisht ajo vajza që shfaqej në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë.

Rrëfimi

Pasi ka pranuar autorësinë, Anna Malaj ka rrëfyer se pasi ka festuar datëlindjen e saj të 31 më datë 1 korrik, në gjendje të dehur kanë shkuar së bashku me kushëririn e saj, Emiljanon, që të vidhnin me armë karburantin që ndodhej pranë fshatit Levan. Sipas Anna Malajt, pasi kishin pirë dhe festuar deri në orët e vona të natës, mëngjesin e datës 2 korrik, janë nisur për të kryer grabitjen e parë. Ajo ka shpjeguar se kanë përzgjedhur pikërisht këtë pikë shitjesh karburantesh, pasi disa kohë më pare, kur kthehej nga Vlora për në Fier, kishte ndaluar për tu furnizuar tek ku karburant. E ndaluara Malaj ka pohuar se i ka dhënë punonjësit 50 euro për të paguar, por ky i fundit kur i ka kthyer reston e ka kryer këmbimin e valutës jo në mënyrë të rregullt. Mësohet se 31 vjeçarja ka pohuar para hetuesve se edhe pse ka debatuar punonjësi nuk i ka kthyer reston e duhur dhe për këtë arsye ka dashur të hakmerret në një farë mënyre.

Burimet pohojnë se Anna Malaj ka theksuar se grabitjen e parë e kanë kryer nën efektin e pijeve alkoolike dhe se gjithçka ka nisur si aventurë  dhe për shkak të mërisë së krijuar nga kthimi i restos nga punonjësi i karburantit në Levan të Fierit, për të cilën nuk ka qenë dakord.

Ndërsa për dy herët e tjera kur kanë tentuar grabiten e dy pikave të tjera të karburanteve në Fier e Mallakastër, Anna Malaj ka shpjeguar se i kanë kryer pasi u nevojiteshin para, shprehen burimet.

Edhe Emiljano Grëmbi i ndaluar ditën e sotme, mësohet se ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Pritet që ditën e nesërme ndaj dy të rinjve të caktohet masa e sigurisë.

Anna Malaj 31 vjece, u ndalua dje nga policia e Fierit si autore e dyshuar ne vjedhjen me arme te 30 mije lekeve ne Levan dhe tentativen e grabitjes se dy karburanteve te tjere ne Fier e Mallakaster. Policia njoftoi se ajo bashkëpunonte ne kusheririn e saj 22 vjecar, Emiljano Grëmbi nga Belina e Patosit . Te armatosur me arme gjahu, gjate muajit korrik, ata shkonin ne oret e vona te nates ne pika te ndryshme te shitjes se karburanteve dhe nen kercenimin e armes u kerkonin punonjesve tu jepnin parate.

“Të dy këta shtetas( Kushërinjë), nën kërcënimin e armës, në datën 02.07.2018, në Levan, kanë vjedhur një pikë karburanti ku kanë marrë shumën prej 30000 lekësh të reja. Në datën 07.07.2018, në Mallakastër, nën kërcënimin e armës kanë tentuar të vjedhin një pikë karburanti por pasi janë ndeshur me punonjësin e karburantit, janë larguar.

Në datën 15. 07. 2018, në lagjen “1 Maji” Fier, në bashkëpunim, duke kërcënuar me armë gjahu teke, kanë tentuar të vjedhin një tjerër pikë karburanti” thuhej në njoftimin e policisë.

Nga hetimet është konkluduar paraprakisht se 31 vjecarja drejtonte mjetin, ndërsa arma përdorej nga kushëriri i saj.

Policia gjate kontrollit në banesën ku jetonte 31 vjecarja dhe ne banesën e te riut nga fshati Beline, ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, automjetin me të cilën shkonin për të kryer vjedhjet, 1 armë gjahu teke dhe 6 fishekë nje palë doreza dhe 4 targa mjeti të falsifikuara. Procedimi ndaj tyre ka nisur per veprat penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.