Ilir Daja prezantohet te Flamurtari, nis zyrtarisht punën për sezonin e ri

Ndonëse dihej prej ditësh që Ilir Daja do të ishte timonieri i ri i Flamurtarit, sot ka ardhur edhe zyrtarizimi.

Presidenti i vlonjatëve, Sinan Idrizi ka prezantuar teknikun kryeqytetas në një konferencë për shtyp pasditen e sotme, në ambientet e stadiumit “Flamurtari”.

Bashkë me Dajën ka qenë edhe ndihmësi i tij Ardi Mema, ndërsa tekniku i ri i vlonjatëve ka theksuar se skuadra do të garojë për objektiva madhorë.

Jemi pak me vonesë, por po punojmë shumë shpejt, për të rikuperuar kohën. Natyrisht që vëmendja është përqendruar në merkato, por theksoj se do të kontaktojmë vetëm me futbollistë të lirë, jo me ata që kanë kontrata me skuadrat e tyre”, deklaroi Daja.

Nga ana tjetër, presidenti Idrizi tha se tashmë është vendosur që faza përgatitore të zhvillohet jashtë Shqipërisë dhe se do të fillojë vetëm në çastin kur të jetë kompletuar 80% e grupit për sezonin e ardhshëm.

Aktualisht Flamurtari konfirmoi disa nga futbollistët që mbajtën peshën e sezonit të kaluar, si Bushiç, Musta, Pollozhani, etj. ndërsa vetëm para dy ditësh prezantoi edhe afrimin e ish kapitenit të Partizanit, Idriz Bathës.